E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestat e stomakëve bosh

Në Haiti uria e mijëra njerëzve u "përplas" me dyert e pallatit presidencial, që u fortifikuan për të përballuar revoltën. Më pas uria "u derdh" nëpër rrugë, duke marrë përpara ushtarët e policët që ndodheshin aty për të mbrojtur shtetarët dhe shtetin. Uria e Haitit, që "djeg" stomakët e pjesës më të madhe të popullsisë së vendit të varfër, është bërë më këmbëngulëse se kurrë, sidomos ditët e fundit, kur në shkallë botërore çmimet e ushqimit po rriten me një nxitim të jashtëzakonshëm. Që nga viti 2006 kemi një rritje prej 45%. Kjo ka bërë që të vetmet ushqime, me të cilët haitianët mbanin frymën gjallë, ishin: gruri, orizi e bathët, që konsiderohen sot të çmuara, si edhe ari, e si pasojë të paarritshme. "Menyja" ditore e shumë fëmijëve të këtij vendi (ndër më të goditurit nga kriza e rritjes së çmimeve), është vetëm dy lugë oriz, me shpresën që kjo sasi do t‘u jepet sërish të nesërmen, por të nesërmes nuk i dihet kurrë. Sytë e tyre janë shndërruar në "liqen" të trishtë, që reflektojnë stomakët bosh. Një baba i papunë thotë: "Fëmijët më shohin dhe më thonë se jemi të uritur. Mua më duhet të hesht dhe të bluaj inatin përbrenda". Është ky një inat e një revoltë e brendshme që po bëhet gjithnjë e më e dukshme në të gjithë globin. Kriza e ushqimit nuk po ndihet dhimbshëm vetëm te të varfrit, por ajo po gërryen keqas edhe fitimet dhe kursimet e shtresës së mesme dhe asaj të punëtorëve, të cilët janë përfshirë nga një ndjenjë pakënaqësie që i kanë vënë qeveri të ndryshme nën presion. Në Kajro, ushtria është futur në punë për të pjekur bukë, ndërkohë që çmimet e larta rrezikojnë të shndërrohen në shkëndijën që mund të ndezë në flakë inatin dhe protestën ndaj qeverisë represive. Në Burkina Faso dhe shtete të tjera të Afrikës subsahariane, trazirat e nxitura nga rritja e çmimit të ushqimeve po shtohen në numër dhe në përmasa si kurrë më parë. Në Malajzi, një vend që nuk shquhet për një varfëri ekstreme, koalicioni qeverisës thuajse u rrëzua nga votuesit, të cilët ndër shqetësimet e tyre kryesore nxorën rritjen e çmimit të ushqimeve dhe të karburanteve. "Është kriza më e rëndë e këtij lloji e këtyre 30 viteve të fundit", thotë Jeffrey D. Sachs, ekonomist dhe këshilltar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun. "Është e përmasave shumë të mëdha dhe kërcënon me rrëzim një numër të madh qeverish. Shumë syresh janë në prag të krizave të pashmangshme dhe trazirat e vërteta politike ende nuk kanë ardhur", thotë ekonomisti. Sipas ekspertëve, për momentin të pakta janë masat që mund të ndërmerren ndaj kësaj krize, që është rezultat i një numri të madh faktorësh, që nisin me rritjen e jashtëzakonshme të kërkesës për ushqim nga ekonomitë në rritje të Kinës dhe Indisë e deri te shtimi i çmimeve të naftës e shndërrimi i një pjese të drithërave /////të biokarburante. Nuk ka receta, apo këshilla që mund të ndihmojnë në daljen nga kjo krizë. Në Azi, qeveri të ndryshme kanë marrë masa për kufizimin e rezervave të orizit, pas panikut që përfshiu shumë shitës e që u pasua me një shtim të jashtëzakonshëm të kërkesës, që i çoi çmimet në stratosferë. Në Tajlandë, vend që prodhon 10 milionë tonë oriz më shumë nga sa konsumon dhe që konsiderohet si eksportuesi numër një i orizit në botë, supermarketet kanë vendosur një kufi për sasinë e orizit që mund të blihet. Tregjet janë përfshirë nga konfuzioni dhe nervozizmi dhe pakkush e di se si do të jetë vazhdimi i kësaj situate dhe cili do të jetë ndikimi i saj.

"Stuhia"

"Jemi në qendër të një stuhie", deklaroi Presidenti i El Saladorit, Elias Antonio Saca, të mërkurën që shkoi në Forumin Ekonomik Botëror, që u mbajt në Cancun të Meksikës. "Edhe për sa kohë mund ta përballojmë këtë situatë? Na duhet të ushqejmë njerëzit, ndërkohë, që produktet ushqimore sa vijnë e pakësohen. Kjo stuhi skandaloze mund të shndërrohet në një uragan gjigant, që do të tronditë e vërë poshtë jo vetëm ekonomitë tona, por edhe stabilitetin e vendeve", tha ai. Në Azi, në rast se Kryeministri i vendit, Abdullah Ahmad Badawi, do të dorëhiqet, çka ka shumë shanse të ndodhë pas trazirave postzgjedhore që kanë përfshirë partinë e tij, ai mund të jetë viktima e parë e profilit të lartë për rajonin e "stuhisë" së rritjes së çmimeve dhe shtimit të inflacionit. Në Indonezi, nga frika e shpërthimit të protestave, qeveria rishikoi edhe njëherë së fundi buxhetin e vitit 2008 dhe rriti sasinë e parave që do të shpenzojë për subvencionimin e çmimeve të ushqimeve me 280 milionë dollarë më shumë. Sipas një këshilltari të Ministrisë indoneziane të Bujqësisë, shqetësimi më i madh janë protestat e shkaktuara si pasojë e rritjes së çmimeve ushqimore. Sipas tij, ato kanë ndodhur në të shkuarën dhe mund të ripërsëriten më me forcë në një të ardhme të afërt. Një muaj më parë në Senegal, një ndër vendet më të vjetra e me demokraci më të qëndrueshme të Afrikës, policia iu përgjigj protestave me përdorimin e gazit lotsjellës dhe qëllimin e protestuesve me shkopinj gome. Shumë senegalezë shprehën indinjatën e tyre ndaj Presidentit të vendit për stilin e tij tepër luksoz të jetesës, për udhëtimet e shtrenjta, hotelet me 5 yje dhe paratë që harxhon lart e poshtë së bashku me kastën e tij, ndërkohë që njerëzit nuk kanë të sigurt ushqimin e ditës. "Përse po ndodhin kudo protesta të tilla?" - pyet Arif Husain, një analist i çështjeve të ushqimit pranë Programit Botëror të Ushqimit, sipas të cilit nevoja e donacioneve të mëdha është më urgjente se kurrë. "Mbijetesa është instinkti bazë i njeriut dhe si i tillë njerëzit do të shkojnë deri në ekstrem për të mbijetuar. Nëse je i uritur, atëherë inatosesh më shpejt. Udhëheqësit që e injorojnë një fakt të tillë, herët ose vonë do ta paguajnë shtrenjtë në kurriz të tyre", thotë analisti. Presidenti Rene Preval i Haitit iu përgjigj me një gjuhë jo shumë të denjë demonstratave të popullit të uritur, që kërcënuan t‘i ndotnin kangjellat e pallatit. Ja çfarë tha ai për t‘iu kundërpërgjigjur revoltës së të uriturve: "Nëse haitianët mund të përballojnë mbajtjen e telefonave celularë, atëherë ata nuk paskan edhe aq probleme me bukën e gojës. Nëse do të organizoni ndonjë protestë për rritjen e çmimeve, ejani e më merrni edhe mua në pallatin tim, sepse edhe unë dua të bashkohem me protestën tuaj. Kjo është një situatë e përbotshme, të cilën edhe unë e kundërshtoj, por nuk kam se çfarë të bëj". Por kur demonstruesit iu afruan me të vërtetë pallatit të tij, në vend të Presidentit njerëzit e uritur u pritën nga garda presidenciale, e cila së bashku me trupat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara i zmbrapsi brutalisht protestuesit.

"Tkurrja" e ushqimit

Rritja e çmimeve ka sjellë ndryshime të mëdha në menytë ushqimore dhe sigurisht që bëhet fjalë për një përkeqësim të tyre. Në Indi prindërit kanë pakësuar sasinë e qumështit për fëmijët dhe kanë hequr mishin për të gjithë. Të mendosh që mishi është burimi kryesor i proteinave. Në rrugët e Kajros, në Egjipt, shitësit ambulantë të ushqimeve thërrasin me të madhe për të joshur blerësit, por ata nuk qasen më si më parë, pasi tani e dinë që çmimet nuk do t‘ua //////lejnë blerjet që dikur ishin të zakonshme. Janë të paktë ata blerës që mund të përballojnë mishin dhe peshkun, pasi brenda dy muajsh çmimet e ushqimeve janë dyfishuar. "Shpërfillja" e blerësve është një fatkeqësi edhe për vetë shitësit, të cilëve po u kalben prodhimet. Qeveritë, sidomos ato të vendeve të varfra, është sikur të mos ekzistonin. Aftësia e tyre për të zgjidhur krizën është e kufizuar. Paratë më të mëdha shkojnë për subvencionet ushqimore, madje një pjesë e tyre u është marrë parave që ishin përcaktuar për arsimin dhe shëndetësinë. Por çfarë vlere mund të kenë këto të fundit, kur barku është bosh? "Nëse njerëzit do të protestonin, atëherë ndoshta qeveria do të niste ndryshimet, por njerëzit janë të frikësuar dhe të ndarë në një kohë kur duhet të bashkoheshin e të kërkojnë të drejtat e tyre", thotë një banore e Kajros. Për sa i takon Nigerisë, në këtë vend të gjithë e bëjnë mend mirë se uria dhe skamja mund të përmbysë qeveritë. Presidenti i parë postkolonial i vendit, Hamani Diori, u përmbys nga pushteti pas akuzave për korrupsion në vitin 1974. Ndërkohë që ai bënte miliarda, miliona njerëz vdisnin nga uria. Rasti i fundit është ai i vitit 2005 me protestat masive në Niamey, kryeqyteti nigerian, që e detyruan qeverinë të ulej dhe të vlerësonte situatën e krizës ushqimore, e cila ishte shkaktuar nga një sërë shkaqesh, por që ishte e rëndë. Si rezultat i protestave, qeveria u detyrua që të ngrinte një ministri të posaçme, e cila merrej vetëm me çështjet e rritjes së çmimeve dhe rritjen e kostos së jetesës. Kështu, kur këtë vit çmimet nisën të rriteshin, qeveria ndërhyri menjëherë për heqjen e taksave të orizit. Pikërisht ky veprim i shpejtë e shpëtoi qeverinë nga një telash shumë i madh, në rast se njerëzit do të dilnin në protesta.

Të varfrit hanë baltë

Rikthehemi sërish në Haiti. Në këtë vend, tre të katërtat e popullsisë fitojnë më pak se 2 dollarë në ditë dhe një në 5 fëmijë vuan nga uria. I vetmi biznes që njeh rritje është shitja e petëve prej balte, vaji dhe sheqeri. Ky është ushqimi i të pashpresëve, i atyre që vetëm një fije i ndan nga vdekja për bukën e gojës. Një ushqim i tillë, shumë pak i kushtueshëm, e vë në "gjumë" stomakun. Në vende të tjera të varfra të botës, situata është pak a shumë e ngjashme dhe befas tek sheh gjithë këtë fukarallëk, e ndërkohë pasuri pa fund në cepa të tjerë të begatë të botës, të lind pyetja. Po kush dreqin po e qeveris këtë planet?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›