E para është fushata e Bashës
Nëse pati diçka të re për tu shënuar në këtë fushatë zgjedhore, sidomos për Tiranën, kjo nuk ishte nën shenjën e skandalit. Jo se nuk u tentua prodhimi i skandaleve të posaçme për fushatën, jo se munguan akuzat dhe incidentet, përplasjet dhe sharjet gjithashtu. Por të gjitha këto, si pjesë e regjistrit të vjetër të komunikimit politik në Shqipëri, u pa qartë që po shkojnë drejt ezaurimit. Megjithëse nuk është hera e parë që ato provohen monedha të pavlefshme në tregun e një fushate elektorale, është ndoshta hera e parë që jo prania, por mungesa e tyre në dominancë përbën ngjarjen reale të një fushate. Ndërsa njëri kamp doli në fushëbetejë sërish me armët e vjetra, rekordin e shënoi kampi tjetër, pikërisht për dorëzimin e këtyre armëve. Ndërsa skuadriljet e njërës palë tundnin flamujt e ferrit, ngjyrën fushatës ia dhanë, çuditërisht, flamujt e bardhë të normalitetit që valëviti pala tjetër. Ndërsa njëri kandidat zgjodhi tonin negativ si rrugën e vet të PR-it në këtë fushatë, ishte toni pozitiv i kandidatit tjetër që tingëlloi më korrekt dhe tërheqës. Dhe ndoshta pikërisht për faktin se toni ligjërues i kundërshtarit ishte shumë agresiv, detyrues dhe alarmant, simpatinë e fitoi toni i qetë dhe i shtruar që karakterizoi ligjërimin e kandidatit tjetër.
Por duhet thënë se ngjyra ose tonaliteti i ligjërimit është vetëm një element i fushatës zgjedhore, që sigurisht është i pamjaftueshëm për ti dhënë epërsi një kandidati apo një kampi, sado i rafinuar dhe rezonues që të jetë ky ngjyrim.
Matjet dhe studimet e bëra tregojnë se qytetarët janë të aftë të gjykojnë njëkohësisht edhe në dimensione të tjera përsa i përket regjistrit të komunikimit politik gjatë një fushate elektorale. I kemi shqyrtuar një herë më parë në një artikull këto elemente të komunikimit si çelësa shpjegues të fushatës që udhëhoqi Edi Rama në Tiranë dhe në këtë artikull do të përpiqemi ti identifikojmë ato në të njëjtën mënyrë te fushata që udhëhoqi Lulzim Basha në kryeqytet.
Kësisoj, përballë fushatës pothuajse totalisht negative të Ramës, fushata e Bashës ishte më së shumti pozitive. Përveç elementit të tonit që veçuam pak më lart, pozitive në rastin e Bashës ishin edhe përmbajtja e ofertës si dhe qasja ndaj kundërshtarit. Basha në këto zgjedhje ofroi një pjatë elektorale që nuk e përmbante brenda sulmin ndaj kundërshtarit, ose që kundërshtarin nuk e kishte ingredientin e saj kryesor. Të paktën jo për ta denigruar atë në stilin e fushatës së pistë. Kjo nuk do të thotë se Basha nuk u mëshoi të metave dhe defekteve të kundërshtarit, por u mjaftua me dobësitë e punës së tij, duke e ndërtuar vetë profilin kandidues për Bashkinë e kryeqytetit, si krahasim me profilin menaxherial të kundërshtarit. Madje, slogani Të parët jeni ju niset pikërisht nga një moment i tillë krahasimi me kryetarin e Bashkisë, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, duke sugjeruar se në këtë mënyrë Rama nuk mund të ketë të parët qytetarët e Tiranës, pasi axhenda e tij si kryetar i PSSH është më e rëndësishme dhe e tejkalon axhendën e kryeqytetit në radhën e tij të punëve.
Diferencën në këtë garë elektorale e bëri fushata e Bashës edhe për një arsye tjetër. Sepse duke iu shmangur rrengut politik, pati mundësinë të ishte konkrete, ilustruese dhe e detajuar, edhe pse ndoshta në disa raste më e detajuar se çduhet në çështje dhe tema, duke dhënë idenë e gabuar të inflacionit të premtimeve. Një minus i mundshëm i fushatës së Bashës mund të ketë qenë edhe kuota e ulët politike në të cilën vendosi të qëndronte. Ai mund ta kishte luajtur më mirë kartën politike jo vetëm për ti veshur identitet dhe ngjyrim të djathtë paketës së tij menaxheriale, por për të rezonuar edhe politikisht si profil. Duke qëndruar në minimum politik, ai ndoshta humbi rastin për të regjistruar në këtë garë një avantazh dhe jo një dizavantazh edhe politikisht. Nuk është pa domethënie politike një përballje ndërmjet Ramës dhe Bashës si figura politike, kur për herë të parë në një garë të tillë edhe politike i riu nuk mund të pretendojë më se është Rama. Një profil politik si ai i Lulzim Bashës, pavarësisht se si duan ta damkosin kundërshtarët dhe rivalët, përfaqëson stafetën ose shpresën për qarkullimin e elitave edhe në Shqipëri, duke qenë se është jo thjesht i riu si gjeneratë në politikë, por edhe identikiti modern i politikanit si produkt i shkollës së re të komunikimit politik. Këtë të fundit, në fakt, pati rastin të na e provonte me fushatën që udhëhoqi si kandidat për Bashkinë e kryeqytetit.
Megjithatë, ky artikull nuk merr përsipër të lexojë më gjerë se kaq për të gjetur se kush është kandidati superior, i duhuri apo ai që do të fitojë. Dihet se fushata nuk është i vetmi faktor që përcakton se kush e fiton një garë dhe në çdo skenar PR-i duhet llogaritur edhe kundërshtari. Madje kjo është vetë ligjësia e marrëdhënieve publike politike, sipas të cilave gjithçka ndërtohet në varësi të kundërshtarit që ke përballë. Sipas kësaj logjike, pyetja e kësaj fushate do të jetë: A do të humbë apo jo Rama, pasi u pa qartë se fushatën kësaj radhe e fitoi Basha?
