E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Zisa: “Nuk e bëra unë vrasjen, më kërcënuan ta pranoj”

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Shpëtim Zisa, 19-vjeçari nga Peshkopia që akuzohet për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, ka mohuar kategorikisht kryerjen e krimit. Ndonëse është cilësuar si person me aftësi të kufizuara mendore dhe i papërgjegjshëm për veprimet e kryera, gjendja e tij psikike ka qenë tepër normale në seancën e djeshme gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Zisa ka mohuar vrasjen e 10-vjeçarit Çenga, duke pohuar se “Besimin nuk e vrava unë, atë e ka vrarë Ermal Shulku. Ai më mori mua lidhëset e këpucëve dhe, pasi e vrau, më drejtoi pistoletën dhe më tha që të mos tregoja që e vrau ai. Po ashtu, Ermal Shulku më kërcënoi se do të më vriste dhe unë duhet të thoshja që e kisha bërë unë vrasjen, pasi sipas tij, isha i sëmurë dhe nuk më dënonte njeri”, - ka pohuar Zisa në seancën e djeshme. Me një paraqitje tepër serioze dhe shumë i qetë, Shpëtim Zisa ka kërkuar ballafaqimin me personin që ai e akuzon se ka kryer vrasjen. Ai ka theksuar disa herë se nuk është ai vrasësi, por e ka pranuar pasi, sipas tij, Shulku i kishte vënë pistoletën në kokë dhe e kishte kërcënuar me jetë, nëse ai nuk do të pranonte vrasjen. Të njëjtin variant Shpëtim Zisa e ka dhënë edhe gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, por kjo pistë nuk u mor fare parasysh për shkak të gjendjes së tij të rëndë psikike dhe deklaratat e tij u morën si të sajuara.
Kundërshtimet e avokatit
Edhe avokati mbrojtës i Shpëtim Zisës ka synuar që të bindë trupin gjykues se ai nuk është vrasësi, por klienti i tij është detyruar nga të tjerë që të pranojë krimin. Avokati ka pohuar se klienti i tij është i papërgjegjshëm për veprimet që kryen, ndaj edhe gjykata duhet të vendosë që ai të kurohet në spital dhe jo të dënohet me burgim përjetë. Sipas avokatit, Zisa është dënuar pa të drejtë nga Gjykata e Shkallës së Parë, pasi klienti i tij nuk ka zotësi juridike. Kjo është vërtetuar edhe nga ekspertimi mjekoligjor që i është kryer vetëm pak kohë para vrasjes. Ndërkaq Zisa është arrestuar edhe për vepra të tjera penale, por gjykata e ka lënë sërish të lirë, pasi ai nuk ka qenë i përgjegjshëm për veprimet e kryera. Por edhe pas pretendimeve të palës mbrojtëse, Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Akuza
Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me burgim të përjetshëm Shpëtim Zisën, pasi e ka gjetur fajtor për vdekjen e 10-vjeçarit Besim Çenga. Prokurori ka paraqitur si provë në gjykatë edhe rrëfimin e vetë të pandehurit Shpëtim Zisa që e ka pranuar krimin, madje duke dhënë dhe detajet e kryerjes së tij, vendin, kohën dhe gjithçka tjetër lidhej me atë ditë. Por nga mënyra sesi Zisa e ka rrëfyer ngjarjen, me të qeshur e pa treguar kurrfarë pendese, e ka çuar trupin gjykues të konkludojë se gjithçka ai thotë e bën nën efektin e papërgjegjshmërisë totale mendore. Besim Cenga, 10-vjeçari nga lagjja “Kamen” e Peshkopisë u vra më 23 tetor të vitit 2007. I akuzuari për këtë vrasje ka tronditur opinionin publik në Dibër dhe jo vetëm aty. Në bazë të provave të grumbulluara, Zisa e kishte përdhunuar 10-vjeçarin dhe më pas e kishte mbytur me lidhëset e këpucëve. Në trupin e të miturit janë gjetur shenja dhune dhe pas një hetimi të policisë është bërë i mundur arrestimi i autorit, që ishte fqinj i fëmijës, Shpëtim Zisa. Në polici 19-vjeçari ka pranuar krimin, duke pohuar se ka qenë ai që e ka vrarë. Seancat gjyqësore të shkurtra kanë bërë që gjykata të dënojë menjëherë Zisën me dënimin maksimal që ka në Kodin tonë Penal, atë të burgimit të përjetshëm
Ky lajm është publikuar: 19/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›