E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Krimi i dytë për Gërdecin

Deputeti veteran i Partisë Socialiste, Namik Dokle, thyen heshtjen. Ai ka komentuar ftesën për anëtarësimin në NATO, tragjedinë e Gërdecit, arsyet pse ai konsideron fajtorë dhe shkaktarë të tragjedisë të gjithë piramidën shtetërore, shpresën amerikane për zbardhjen e krimit, skepticizmi për hetimin nga Prokuroria Shqiptare, por edhe dyshimi si po përgatitet krimi i dytë me Gërdecin. Aktiv në Kuvend dhe në strukturat drejtuese të PS-së, Dokle duket shumë më i heshtur në marrëdhëniet me shtypin. "Kam heshtur për disa motive, njëri nga të cilët është se respektoj strukturat e zgjedhura në PS dhe përgjegjëse për një gjë të tillë. Kam heshtur, edhe sepse njeriu është zot i asaj çfarë nuk ka thënë ende dhe rob i asaj që ka nxjerrë nga goja", thotë ai. Megjithatë, prek pa ndrojtje të gjitha temat e nxehta që shqetësojnë sot politikën shqiptare. Deputeti socialist, që në vitin e largët 1991 nuk ka mëdyshje kur thotë se në korrikun e vitit tjetër, partia e tij do të rikthehet në pushtet, jo vetëm për shkak të keqqeverisjes së vendit, por kryesisht për shkak të alternativës që ata po i afrojnë publikut. Ai nuk ka dilema kur e përmend ftesën për në NATO si një fitore dhe meritë të shqiptarëve në radhë të parë, por është pa dilema edhe kur akuzon rëndë: Tragjedia e Gërdecit është krim shtetëror. Sipas tij, fajtore e drejtpërdrejtë për masakrën e rëndë është gjithë piramida qeverisëse në Shqipëri, duke filluar që me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, një pjesë të ministrave dhe të gjitha agjencitë inteligjente në vend. Dokle mendon se pas të shtunës së mesmarsit, një tjetër krim po projektohet, tashmë mbi të gjithë qytetarët shqiptarë. "Mjegullimi i të vërtetës, fshehja e krimit dhe fajtorëve të tij. Këto janë veprimet e sotme të pushtetit. Gërdeci nuk mund të harrohet, viktimat kërkojnë drejtësi dhe shpagim politik, moral e penal. Ai mund të shërbejë si një shembull për të nxjerrë mësime, që histori të tilla vdekjeje të mos përsëriten, por të krijohet ai sistem masash ligjore dhe strukturore që do të shmangnin në maksimum rreziqe të tilla", thotë Dokle. Ai beson fort se megjithatë, të vërtetat e hidhura që po tentohet të fshihen në Tiranë, me të gjitha gjasat do të dalin në dritë dhe nga hetimi amerikan i të njëjtës histori dhe me lidhje me të njëjtën histori.

Dukeni si i tërhequr. Daljet tuaja në media janë fare të rralla. Kjo tregon se jeni tërhequr nga pozicioni aktiv që keni pasur në PS që nga viti 1991?

Eshtë e vërtetë se jam shumë më pak aktiv në media, por një gjë të tillë nuk e çmoj si tërheqje. Jam plotësisht aktiv në strukturat partiake, ku jam zgjedhur dhe po të njëjtin rol luaj dhe në Kuvend. Unë jam i mendimit se politika në përgjithësi e ka mërzitur publikun. Një politikan duhet të ketë sensin e masës dhe këtë sens po përpiqem ta përdor me veten. Më kujtohet se dikur, dhjetë vjet më parë, kur kam marrë pjesë në Konventën e demokratëve amerikanë në fushatën që rizgjodhi Presidentin Klinton, u dha një mesazh që në Shqipëri mund të ngjajë i panatyrshëm. Pas çdo takimi, Presidenti Klinton kërkonte nga stafi i tij të dinte se ku kishte gabuar. Dhe përgjigjja e parë që merrte ishte se kishte folur një minutë apo një minutë e gjysmë më shumë se ka qenë e nevojshme. Kurse te ne, lumi i pambarim i fjalëve që derdhet ekraneve e faqeve të gazetave, ngjan se duket si mençuri e politikë dhe shitet edhe si politikë e mençur. Nga ana tjetër, zëdhënia politike e PS-së është e përcaktuar, ajo kryhet nga kreu i grupit parlamentar, nënkryetarët e sekretarët dhe sigurisht edhe nga kryetari i partisë, Edi Rama. E konsideroj të domosdoshme dhe të dobishme këtë gjë, edhe sepse kjo shmang spontanitetin, por dhe gabime të mundshme.

Politika shqiptare në këto dy muaj ka njohur dy ngjarje, që duket se përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkohen në kohë, tragjedia e Gërdecit dhe ftesa për në NATO. Zi dhe festë. Cili është komenti juaj?

Do të doja të bëja një ndarje dhe të citoja ambasadorin amerikan në Tiranë, i cili pohoi se ftesa në NATO është meritë e fitore e të gjithë shqiptarëve dhe si e tillë, është festë e gjithë shqiptarëve. Më vjen keq që të vërteta të tilla ne i dëgjojmë kryesisht nga të huajt, por kështu ka ndodhur në vite. Edhe unë gjykoj se ftesa në NATO i përket fillimisht gjithë shqiptarëve dhe pas tyre edhe politikës në vend dhe këtu po bëj një tjetër ndarje. Edhe në PS, në programin e saj deri në vitin 1994 nuk përmendej hyrja në NATO, por dy vjet më pas ajo u përfshi si një kërkesë dhe pikësynim strategjik dhe që atëherë ajo ka qenë e tillë dhe e pandryshueshme. Kurse PD-ja në 1997-ën akuzonte hapur se nga dera ku hymë tashmë kishin dalë forcat që shkatërruan Shqipërinë.

Po kështu edhe në 1999-ën me deklarimin e famshëm dhe faqezi të Berishës për të mos firmosur Rambujenë dhe se firmosësit e saj do të ishin tradhtarë. Apo për të kujtuar se po në të njëjtin vit, PD-ja bojkotoi Kuvendin, kur do të votohej vënia në dispozicion të NATO-s të hapësirave ajrore, tokësore dhe detare të vendit, në luftën për çlirimin e Kosovës nga tirania e Millosheviçit. Duke kujtuar këto fakte, nënvizoj se rasti shqiptar është nga ana tjetër unikal në botë për mbështetjen totale që publiku i ka dhënë anëtarësimit të vendit në Aleancë. Dhe kjo është shprehje e qartë dhe pa mëdyshje e kërkesës për më shumë stabilitet, për shpejtim të rrjedhave integruese të vendit, për më shumë demokraci e prosperitet. Në këtë rast, publiku ka qenë shumë më përpara e më largpamëse edhe se vetë politika.

Kurse për tragjedinë e Gërdecit kam bindjen e thellë se jemi përpara një krimi shtetëror. Një krim i shkaktuar nga veprimi dhe mosveprimi i strukturave shtetërore, që nisin që nga mënyra sesi është formuluar ligji, vendimi përkatës i qeverisë apo dhe si janë zbatuar ato në praktikë. Tragjedia nisi që nga piketimi i vendndodhjes së fabrikës së vdekjes mes portit më të madh në vend dhe aeroportit, mes autostradës dhe hekurudhës, në mes të përqendrimit më të madh të popullsisë dhe biznesit në portat e Tiranës. Një zgjedhje e bërë për shkak të llogarive të ndyra dhe korrupsionit të ngritur në sistem. Ai krater i mbetur hapur që mori jetë njerëzish, që plagosi qindra të tjerë dhe shkatërroi prona e biznese, është në fakt krateri i korrupsionit që kjo qeveri e paaftë, gënjeshtare dhe hajdute ka hapur në kurriz të shoqërisë shqiptare. Por, dhe ana tjetër e medaljes, mosveprimi i strukturave përgjegjëse bën përgjegjëse të gjithë hierarkinë shtetërore, duke nisur nga Presidenti i Republikës, Kryeministri që drejton Forcat e Armatosura në emër të tij në kohë paqeje, një pjesë të kabinetit qeveritar me ministrin e Mbrojtjes, të Brendshëm, të Financave apo të Punës dhe gjithë agjencitë inteligjente, SHISH, SHIU, SHIR.

Duhet të bëhet e qartë nëse këto të fundit kanë raportuar apo jo për atë që po gatuhej në Gërdec, nëse po, pse nuk u reagua në kohë, dhe nëse jo, pse nuk u krye detyra për të cilën ato paguhen. Gërdeci është shembulli si po qeverisemi të gjithë, Gërdeci është shembulli sesi nuk duhet të qeveriset më kurrë Shqipëria. Në Asamblenë e PS-së, të mbajtur në mesjavë në Vorë, u propozua të kompensohen në masën 100 për qind të gjitha dëmet, që ky të jetë një proces transparent dhe që të ndërtohet një infrastrukturë ligjore që ta mundësojë një gjë të tillë. Eshtë e thjeshtë të thuhet që paratë e kompensimit do të dalin nga buxheti, por kjo do të thotë që do të ketë më pak rrugë, shkolla dhe spitale, ndaj bashkë me këtë mundësi dhe mënyrë, duhet të shihet edhe kompensimi i dëmeve me paratë e atyre që e shkaktuan këtë tragjedi.

Besoni se ata që e shkaktuan Gërdecin do të kenë një përgjegjësi individuale, besoni se do të zbardhet plotësisht e vërteta e asaj çka ndodhi?

Për momentin jam i sigurt se kjo përgjegjësi ka, veç të tjerash, një faturë të pandryshueshme politike, që Berisha dhe të tijtë do ta paguajnë në zgjedhjet e ardhshme. Normalisht Berisha duhet të ishte larguar jo vetëm sepse kjo është kërkesë e opozitës, por sepse është një detyrim politik e moral i tij, në radhë të parë. Një ministër korean, pak kohë më parë dha dorëheqjen vetëm sepse një urë e ndërtuar 30 vjet më parë në vendin e tij u shemb dhe ai u ndje i përgjegjshëm. Shikoni sa larg këtij standardi është Shqipëria e sotme! Berisha do të vazhdojë të kapet me thonj pas karriges së tij, njëlloj si në ‘97-ën, por nuk mund t‘i shpëtojë për shumë kohë gjykimit të votës. Kurse për pjesën tjetër kam dyshimet e mia dhe jam disi skeptik. Po tentohet të fshihet e vërteta, po tentohet të ngrihet mjegull totale për të shmangur zbulimin e së vërtetës. Kam ndjekur me vëmendje hetimin që po kryhet dhe më ngjan se prokuroria është gati inaktive dhe sidomos në ditët e para të tragjedisë veproi me një ngadalësi ngjethëse, duke dhënë kohë për fshehje të gjurmëve të rëndësishme që provojnë krimin. Kam shpresë se hetimi që ka nisur në Kongresin Amerikan do të japë sinjale të forta edhe në Shqipëri, për shkak se në tragjedi shoh të implikuar të gjitha strukturat e pushtetit nga Presidenti e Kryeministri e deri poshtë tyre. Por ju siguroj, se çdo përpjekje për të fshehur të vërtetën do të jetë një krim i dytë me dhe për Gërdecin e gjithë Shqipërinë. Shpresoj shumë që kjo të mos ndodhë.

Në pamje të parë duket se ka një kontradiktë, partia juaj kërkon largimin e Berishës nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, e kërkon dhe e pranon atë si partner në reformat e domosdoshme për vendin. Duke nisur që nga reforma zgjedhore, ju si e gjykoni një gjë të tillë?

Kjo është politika. Ne nuk mund të zgjedhim partnerët; ata janë të përcaktuar nga vota e korrikut 2005. Partitë politike janë të dënuara të bashkëpunojnë dhe reformat nuk mund të jenë të një krahu dhe nuk mund të realizohen me një krah më vete.

Eshtë folur shpesh për një marrëdhënie të fshehtë të partisë suaj me Berishën apo dhe me deputetë të PD-së kundër tij. Ka ndonjë të vërtetë në këto histori që qarkullojnë?

Ky është një thashethem i bukur i medias. Nuk ka asgjë të tillë. Nëse nuk do të konsideronim batuta apo hidh e prit me deputetë të PD-së, përfshi këtu dhe nga ata që e kundërshtojnë në heshtje Berishën, por nuk kanë kurajo të dalin kundër tij hapur, do të thosha që akte të tilla mungojnë. Kurse akuzat për një marrëveshje të PS-së me PD-në në kurriz të partive të vogla është krejt irreale. Do të më duhet të them se nëse dy partitë e mëdha do të zgjidhnin, fjala vjen sistemin mazhoritar të pastër, atëherë këto akuza do të kishin një kuptim, sepse ky sistem do t‘i linte absolutisht të gjitha partitë e vogla pa asnjë deputet të vetëm në zgjedhje. Proporcionali rajonal që ne propozojmë ka të bëjë me matjen reale dhe të saktë të peshës në secilën parti në elektorat dhe mosdeformimin e votës, siç ka ndodhur deri më tani.

Jeni i njohur dhe si një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të ish-kryetarit Nano, si e konsideroni heshtjen e tij?

Nano ka kontributet e tij në PS dhe ato janë përgjithësisht pozitive. Ai është një nga themeluesit e PS-së, i burgosur politik pse ishte kryetar i saj. Në politikë ciklet hapen dhe mbyllen dhe hapja-mbyllja e tyre nuk është në një gjendje statike. Unë mendoj se në PS, për Nanon është e mbyllur përfundimisht vetëm një derë, ajo e kryetarit të saj. Nano nuk mund të bëhet më kryetar i Partisë Socialiste dhe kjo është një çështje që tanimë as që nuk zihet në gojë, por vetë Nano është i bindur se nuk mund të jetë më pak se kryetar. Në lëvizjet e drejta dhe të gabuara të tij, një peshë të jashtëzakonshme negative ka mbajtur dhe marrja përsipër prej tij e veprimit të gjashtë deputetëve që i shitën votat Berishës për Presidentin. Kjo është fatura që Nano duhet t‘i paguajë fillimisht vetes. Ai vazhdon të jetë anëtar i PS-së e deputet i saj, por edhe këto detyra ai nuk po i kryen dhe ky është problemi i tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›