E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi, çmimet vazhdojnë të rriten

Kriza e çmimeve, që po kalon tregu vendas i ushqimeve, rrezikon të thellohet më tej. Sinjalet e alarmit vijnë nga të dhënat e fundit të doganave, të cilat konfirmojnë shqetësimin e paralajmëruar, se rritja e çmimeve do të vazhdojë gjatë. Sipas doganave, të gjitha çmimet e ushqimeve bazë që Shqipëria importon kanë shënuar një tjetër rritje të fortë gjatë këtij muaji, krahasuar me marsin. Rritjen më të madhe vazhdojnë ta kenë produktet me konsumin më të gjerë, si drithërat dhe vaji. Çmimi i grurit të importuar nga Evropa është rritur me 10 euro për ton, brenda dy javësh, ndërsa për atë që blihet nga Amerika me 40 dollarë për ton. Një ton grurë që blihet në Argjentinë është zhdoganuar në Shqipëri me 385 deri në 390 dollarë për ton, kur vetëm dy javë më parë ishte 350 dollarë për ton. Edhe çmimi i misrit, produkt që përdoret gjerësisht si ushqim për blegtorinë, vazhdon të rritet, duke rënduar më tej kostot e fermerëve, çka paralajmëron për rritje të çmimit të bulmetrave dhe mishit. Çmimi i misrit ishte 225 dollarë në mars, ndërsa në ditët e para të prillit arriti në 250 dollarë. Rritja e pandalshme ka përfshirë edhe vajin, çmimi i të cilit brenda një muaji është rritur me rreth 60 dollarë për ton, duke arritur, sipas doganave, në 1710 dollarë për ton për vajin e papërpunuar dhe 2050 për vajin e gatshëm. Në mars çmimet respektive ishin 1655 dollarë për vajin e papërpunuar dhe 1895 dollarë për vajin e gatshëm. Por këto çmime nuk përfshijnë taksat, çka do të thotë se derisa të arrijnë në treg te konsumatori ato ngarkohen dhe me 20 për qind TVSH në dogana. Kriza e çmimeve që ka përfshirë tregun vendas po shndërrohet tashmë në një problem social, pasi vetëm pak ditë më parë Banka Botërore paralajmëroi se kjo situatë mund ta rrisë më tej numrin e të varfërve në vend.

Ndërkombëtarët

Por, sinjaleve të alarmit që vijnë nga doganat u kanë paraprirë më parë dhe institucionet e specializuara në këtë fushë. FMN-ja deklaroi më parë se kriza e çmimeve në Shqipëri do të vazhdojë përgjatë gjithë vitit në raportin e fundit mbi parashikimet e ekonomisë botërore. FMN-ja vlerëson nivelin mesatar të inflacionit në vendin tonë gjatë vitit 2008, që do të jetë 4.2 për qind, me një rritje prej 1.3 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, kur norma mesatare e inflacionit ishte 2.9 për qind. Çmimet, sipas FMN-së, pritet të normalizohen vetëm në vitin 2009, ku inflacioni mesatar është parashikuar të bjerë në 2.9 për qind. E thënë ndryshe, viti 2008 pritet të jetë i kripur për të gjithë qytetarët, por pasojat më të rënda padyshim do i ndjejnë ata me të ardhura të ulëta. Pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare janë duke bërë parashikime pesimiste në lidhje me ecurinë e ekonomisë botërore gjatë këtij viti. Padyshim që kësaj prirjeje nuk ka se si t‘i shpëtojë as Shqipëria, vend i cili vuan nga prodhimi i pakët vendas dhe paaftësia e bujqësisë për të furnizuar tregun e brendshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›