E Diel, 1 Nëntor 2026

330 biznese të jugut në monitorim

Si pjesë e programeve ndërkufitare Intereg III në Gjirokastër është çelur zyra e konsulencës për biznesin. Zyra e konsulencës disponon aktualisht dosje të veçanta për rreth 300 biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Qarkun e Gjirokastrës ndërkohë që stafi i saj vazhdon punën për dokumentimin e plotë të veprimtarive të biznesit të mesëm dhe të vogël në rajonin jugor të vendit. Sipas konsulentit të biznesit Petraq Beruka synimi i kësaj zyre është ti japë ndihmesë zhvillimit të biznesit të mesëm dhe të vogël në Qarkun e Gjirokastrës. Pranë saj aktivitetet e biznesit mund të informohen në lidhje me kontakte të ndryshme që mund të vendosin me partnerë të huaj kryesisht në shtetin grek. "Partneri i zyrës sonë në Janinë (Greqi) ofron të gjithë informacionin e nevojshëm për vendosjen e kontakteve mes bizneseve të Qarkut të Gjirokastrës dhe homologëve të tyre në vende të ndryshme", thotë Beruka. Zyra ofron gjithashtu edhe informim mbi mundësitë e ofruara nga programet e Bashkimit Europian,programet Rajonale Operative,programet e Financimit Kombëtar, kreditimi bankar, monitorimin e dimensioneve të konkurencës në ekonominë lokale etj. Gjithashtu pjesë e punës së zyrës së konsulencës janë edhe inisiativat dhe aktivitetet e ndërmjetësimit në shërbimin e tregut financiar, vendime mbi shërbimet këshilluese dhe të promocionit, inkurajimi i aktiviteteve ndërkombëtare në zonat që do të zbatohet projekti etj. Kjo zyrë synon gjithashtu edhe zhvillimin e rrjeteve të marrëdhënieve ekonomike ndërkufitare duke ndërmarrë inisiativa për mbështetjen e rajonit të Gjirokastrës përmes transferimit të ekspertizës dhe praktikave më të mira nga qendra për zhvillimin e biznesit dhe teknologjisë "Keta" që ushtron aktivitetin në rajonin e Epirit, në shtetin fqinjë Greqi. Nga ana e zyrës së konsulencës ka filluar edhe përgatitja e skedave të veçanta për bizneset e mesme dhe të vogla që ushtrojnë aktivitetin e tyre në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›