E Hënë, 2 Nëntor 2026

Benitez : Kaq nuk mjafton

28/12/2004  

Trajneri i Liverpulit Rafael Benitez ka bërë të ditur se niveli më i mirë për skuadrën që ai drejton nuk ka ardhur akoma pavarësisht nga fitorja e arritur me rezultatin 5-0 kundër Uest Bromuiç. Me një poker golash të shënuar prej Rise dy herë, kapitenit Zherard, Pongole dhe Luis Garsia skuadra e Liverpulit arriti të siguronte një fitore me rezultat të thellë kundër modestëve të Uest Bromuiç. Megjithatë, kjo fitore e Liverpulit u ndihmua edhe nga inferioriteti numerik i vendasve pas ndëshkimit me karton të kuq të rumunit Kozmin Kontra në minutën e 39 të pjesës së parë. “Mendoj se ne jemi duke përmirësuar gjithmonë e më shumë nivelin e lojës, ka thënë Benitez. Tashmë faza e parë e sezonit është duke mbaruar dhe në këtë mënyrë tifozët tanë duhet të kënaqen më shumë me futbollin e zhvilluar nga ne. Kështu, unë jam i sigurtë si edhe më parë se skuadra jonë do të ngjitet shumë shpejt në majat më të larta e Premier Ligës të paktën me fillimin e pjesës së mbetur nga ky sezon. Kam shumë besim se ne do të arrijmë që ta mbyllim këtë sezon në katër vendet e para të renditjes. Për momentin jemi akoma duke marrë pjesë me sukses në të katër kompeticionet, të cilat vazhdojmë t’i kemi objektivat tanë. Tani duhet të ecim përpara në qoftë se duam të ndryshojmë lojën tonë me fillimin e vitit të ri. Unë nuk jam duke bërë asnjë parashikim, por e kam thënë edhe më parë se nuk kam ardhur në këtë vend për të mësuar gjuhën angleze. Unë kam ardhur këtu që të jem i suksesshëm me këtë skuadër dhe prandaj jemi duke punuar të gjithë për të arritur këtë objektiv. Do të na duhet akoma shumë kohë, por këta lojtarë që kemi në dispozicion kanë shumë besim në vetvete. E njëjta gjë vlen edhe për mua. Mentaliteti i tyre është ai i fitimtarit. Që të gjithë së bashku duam të nisim vitin e ri me shumë arsye pozitive për të ardhmen tonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›