E Hënë, 2 Nëntor 2026

Premier Liga nuk ndalet

28/12/2004  Çelsi, i cili mban kreun në Premier Ligë do të vizitojë sot Portsmuthin, në ndeshjen për javën e 20-të, ndërsa Arsenal dhe Mançester Junajtid kanë ndeshjet "dredharake" në udhëtim, kur është vetëm gjysma e rrugës intensive të ndeshjeve të festave të këtij fundviti. Skuadra e vendit të dytë, Arsenal udhëton nesër drejt Njukasëllit, ndërsa Mançester Junajtid luan me Aston Vilën, sot në mbrëmje dhe ky është ballafaqimi i dytë midis katër të tillave në nëntë ditë ndeshjesh pa frymëmarrje. Portsmuth mundi Kristëll Palas të dielën në Londër dhe për Velimir Zajec, kjo ishte ndeshja e parë si trajneri zyrtar në drejtimin e skuadrës. Dhe Portsmuth ka humbur vetëm një herë në gjashtë ndeshjet, qysh kur trajneri Herri Redknap la drejtimin e skuadrës në nëntor. Çelsi jo në nivelin më të mirë mundi me shifrat minimale 1-0, Aston Vilën në “Stamford Brixh”, duke ruajtur diferencën prej pesë pikësh në kryesimin e Ligës së Parë, ndërsa sot do të jetë në “Fraton Park”. Holandezi Arjen Roben ndërtoi aksionin e golit të vetëm për Daf, në ndeshjen me Aston Vilën, duke treguar se ai mbetet shqetësues për mbrojtjet kundërshtare, kur vihet në zotërim të topit. Në kontrast me Roben, Uein Runi, që ishte blerja më e kushtueshme në merkaton e verës, ka treguar pak gjëra nga aftësitë e tij, qysh kur erdhi te Mançester Junajtid nga Everton, për shifrën prej 27 milion stërlina (52 milion dollarë). Mançester Junajtid ka fituar radhazi shtatë ndeshjet e luajtura në “Old Traford”, por ka humbur pikë të çmuara në udhëtim dhe tani ndjen jo pak mungesën e sulmuesit holandez, Rud van Nistelroi, të paktën për gjashtë javë. Aston Vila e vendit të 10-të ishte e detyruar të përdorte disa futbollistë të rinj, në ndeshjen me Çelsin, për shkak dëmtimi. Dhe ky mund të jetë një plus për Mançester Junajtid sot. Skuadra e vendit të tretë, që fitoi me një gol, epërsi të dielën, vazhdon të jetë befasia e sezonit, pasi sezonin e kaluar u desh që të luftonte për të mbijetuar. Formacioni i Devid Mojes udhëton për në Londër, ku do të ndeshet me Çarlton që ka fituar pesë ndeshje në fushën e tij gjatë këtij sezoni. Arsenali, që duket se e ka gjetur veten, pasi i dha fund atij rekordi unik, 49 ndeshje pa humbur, ka fatin e një dite plus nga të tjerët, kur do të luajë me Njukasëllin, i cili gjendet në vështirësi, në “St.Xhejms Park”. Trajneri i Njukasëllit, Graem Sunes, po ndjen shqetësim lidhur me pamundësinë e gjetjes së qëndrueshmërisë së skuadrës dhe ka nevojë për përforcime në mbrojtje. Bolton po kërkon t’i japë fund, ecurisë prej pesë humbjesh radhazi, kur të përballet me rivalin lokal Blekburn, ndërsa Totenhem konfirmon ndryshimin e marshit me fitoren e fundit dhe tani pret skuadrën e vendit të 18-të, Kristal Palas. Liverpul pret Sauthemptonin, ndërsa Midëllsboro e vendit të pestë, luan me Noruiçin në vështirësi. Mançester Siti ballafaqohet me skuadrën e vendit të fundit, Uest Bromuiç, që humbi thellë të dielën 0-5 me Liverpulin, ndërsa Birmingham udhëton për në Londër, ku do të luajë me Fulhamin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›