E Hënë, 2 Nëntor 2026

Digat, rrezik përmbytjesh në Shqipëri

28/12/2004  Në Shqipëri, 157 diga janë të dëmtuara dhe kanë nevojë për rikonstruksion të menjëhershëm. Sipas draftit të strategjisë së emergjencave civile, 13 diga janë të dëmtuara rëndë dhe në rast të shembjes do të dëmtojnë qytetet dhe komunat që kanë pranë. Ekspertët janë shprehur në mendimin e dhënë në draft se "rëndësi ka mirëmbajtja gjatë shfrytëzimit. Me vjetërimin e digave, siguria e punës së tyre është problem, kjo kërkon më shumë vëmendje në formën e inspektimeve, vlerësimeve, modifikimeve dhe përmirësimit të digave të vjetëruara".

Sipas vëzhgimit të inspektoriatit të digave, që ka vlerësuar 429 të tilla, "157 diga janë me potencial të lartë dëmtimi. Prej tyre, 70 janë vlerësuar si të dëmtuara dhe 13 janë të dëmtuara rëndë". Sot në Shqipëri ka 630 sisteme rezervuarësh me diga, prej të cilave 307 njihen si diga të larta. Ngritja e digave në Shqipëri ka nisur rreth viteve '50. Ato u ngritën kryesisht për qëllime bujqësore. Diga e Fierzës, me lartësinë 167 m, është diga më e lartë në Evropë e tipit të saj. Digat në Shqipëri janë të tipit me mbushje dheu. Sipas raportit të dhënë në strategjinë e miratuar tashmë nga qeveria, "246 diga mund të prekin një popullsi prej më shumë se 100 personash secila. 156 mund të prekin qendra të banuara me mbi 500 banorë secila, 57 mund të prekin qendra me mbi 500 banorë, ndërsa 8 diga mund të prekin Elbasanin, Divjakën, Lushnjën dhe komunën Gostimë".

Përmbytjet

Gjithashtu, një tjetër problem i rëndë për Shqipërinë janë renditur përmbytjet. Sipas të dhënave, në rast të një përmbytjeje të madhe, në Shqipëri rrezikohen 565 mijë banorë. Përmbytja më e madhe është ajo e nëntorit të vitit 1962 dhe janarit 1963. Në rast të një përmbytjeje, me mundësi ripërsëritjeje një herë në 100 vjet, në Shqipëri do të prekeshin 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85 mijë godina me 7 900 000 m2 sipërfaqe banimi dhe 565 000 banorë. Ndaj ekspertët kanë kërkuar një rregullim të sistemit të kanalizimeve dhe të kujdesjes për lumenjtë. Dëmtimi i këtyre sistemeve është konsideruar një element tepër i rrezikshëm që do të sillte pasoja tepër të rënda në vend.

Lumenjtë

Sipas ekspertëve, në Shqipëri përmbytjet zakonisht ndodhin gjatë muajve, shtator-mars. Sipas draftit të qeverisë, përmbytjet sot stimulohen shpejt, pasi është degraduar sistemi i pritave dhe i kanaleve kulluese. Ndërtimi i objekteve në zona me rrezik dhe gjendja e stacioneve të pompimit pranë 8 lumenjve kryesorë, që përshkojnë Shqipërinë janë cilësuar nga shkaqet më kryesore të situatës. Por, pas nuk mbesin lumenjtë e vegjël. Këta të fundit shpesh prekin luginat e Shqipërisë Veriore, Qendrore dhe Jugore. Ekspertët kanë theksuar se janë 19 lumenj të vegjël, ose përrenj, që përfaqësojnë një rrezik të përhershëm për përmbytje. Karakteristikë kryesore e tyre është se janë shumë të shpejtë dhe shpeshtë "pa besë". Rrjedhat e tyre sjellin shumë mbetje të ngurta që shkaktojnë dëme të paparashikueshme në infrastrukturë, objekte banimi dhe bujqësi.

Karakteristikat

Përmbytjet e menjëhershme ndodhin në një kohë të shpejtë, ato janë shkatërruese dhe gjithçka mund të ndodhë në pak orë.

Viktimat në njerëz dhe dëmet në përmbytjet e menjëhershme shpesh lidhen me shpejtësinë e rrjedhës, masën e mbetjeve të ngurta dhe shkatërrimin e masave parandaluese, më tepër se sa nga thellësia e ujit të akumuluar. Në rastin e digave ujëmbledhëse sipas situatës duhet të merren vendime për hapjen e portave që shoqërohen me pëmbytje lokale. Kjo është më e lehtë se shkatërrimi katastrofik i strukturës ujëmbledhëse.

Harta e rretheve dhe ndërtesave që rrezikohen në rast përmbytjeje

Lumi rrethi ndërtesat Popullsia

Buna Shkodër 13 948 119 249

Drini Lezhë 23 733 171956

Erzeni Durrës/Tiranë 3762 25789

Ishmi Durrës/Krujë 8107 49653

Mati Lezhë 7512 41528

Semani Berat/Fier 4305 28947

Shkumbini Fier/Lushnjë 6599 38052

Vjosa Fier/Vlorë 4579 24585

Dy përmbytjet e mëdha në Shqipëri

Në vitin 1962-1963, zona e Myzeqesë është përfshirë nga reshjet dhe stuhitë e mëdha. Sipas të dhënave, shkak i përmbytjeve ka qenë dalja e Vjosës nga shtrati, duke sjellë dëme të cilësuara katastrofike. Reshjet e dëndura të shiut u shoqëruan nga erëra të forta që kanë sjellë dhe shkuljen e pemëve nga rrënjët. Ndërkohë, një tjetër përmbytje njihet dhe ajo e vitit 1972. Sipas të dhënave, më 1 janar të vitit 1971, lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati, duke përmbytur rreth 14 mijë hektarë tokë. Dëmet e shkaktuara janë cilësuar të përafërta me ato të vitit 1962. Ndërsa janë nxjerrë jashtë loje argjinaturat dhe stacionet e pompimit. Përmbytjet më të fundit të cilësuara të mëdha, janë ato të vitit 2002, 2003, dhe 2004. Këtë herë kanë qenë lumenjtë, Gjadër, Drin, Erzen dhe Osum, shkaktarët e përmbytjeve. Ujërat përmbytën zonën e Lezhës dhe të Shkodrës. Megjithatë ekspertët kanë paralajmëruar se kjo situatë është shumë e vogël, në krahasim me ripërsëritjen e përmbytjeve të vitit 1962. Ndaj investimet në sistemin e kanalizimeve, argjinaturave, të stacioneve të pompave si dhe të mirëmbajtjes së tyre janë cilësuar elementë kryesore dhe tepër të nevojshëm. Gjithashtu, në rast të ngjarjeve të tilla është kërkuar që strukturat të jenë në gatishmëri dhe të japin informacionet e nevojshme për publikun. Ndaj dhe është parë e nevojshme bashkëpunimi sa më i plotë me mediat, duke dhënë mesazhe të shkurtra dhe të qarta.

Fond i veçantë për emergjencat civile

Qeveria ka vendosur që të parashikojë një fond të veçantë në dispozicion të strukturave që do të përballojnë emergjencat civile. Me propozim të ekspertëve është vendosur "mbajtja e një rezerve të mjaftueshme në kesh, për t'u përdorur për vlerësimet e menjëhershme si dhe përgjigjen ndaj emergjencës". Në të gjitha strukturat përgjegjëse duhet të ketë plane dhe marrëveshje në mënyrë që të mbulohen automatikisht kostot për marrjen e mjeteve të transportit dhe karburantin. Kontratat duhet të bëhen në kohë të qetë dhe të vihen në zbatim gjatë periudhës së emergjencave. Planet janë cilësuar elementet kyçe, pasi vetëm në këtë mënyrë vlerësohet se do të arrihet në minimizimin e dëmeve. Gjithashtu për përballimin e situatave duhet të vihet në shërbim dhe rimbursimi, për të mos krijuar pengesa gjatë përballimit të emergjencave të mundshme. Ndaj një pjesë e buxhetit të shtetit duhet të parashikojë shpenzime në përballimin e emergjencave civile. Në çështjet financiare janë përfshirë sistemimi i banesave të dëmtuara si dhe kthimi në situatën normale të tokave të përmbytura. Çdo gjë do të jetë sipas raportimeve që do të jepen nga grupet e punës. Ndërsa marrja e masave mbrojtëse gjatë kohës normale, janë vlerësuar si elementët parandalues.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›