E Hënë, 2 Nëntor 2026

Benitez: Siguria quhet Zherard

16/03/2005  Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, nuk është aspak i shqetësuar për sa i takon “kërcënimeve” të Çelsit, për transferimin e mundshëm të kapitenit Stiven Zherard. Liverpuli do të përballet me dy takime të rëndësishme, me Blekburnin dhe Evertonin, brenda gjashtë ditësh. Fitoret në këto ndeshje vlejnë gjithmonë e më shumë, sigurimin e vendit të katërt që do të thotë, pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm. Kështu, Benitez nuk kërkon të humbasë përqendrimin e tij në takimet e Premier Ligës, pavarësisht nga jehona që ka bërë takimi i fshehtë, midis Çelsit dhe Eshli Kol. Trajneri spanjoll ka krijuar një besim të madh te kapiteni Zherard dhe prandaj, ai mendon se nuk do të ndodhë asgjë e ngjashme me rastin e Eshli Kol. “Tani, për ne është i rëndësishëm fakti që të përqendrohemi në ndeshjet e radhës në Premier Ligë, është shprehur Benitez. Kur dëgjon lajme të tilla fillon e shqetësohesh, por unë nuk mendoj se do të ndodhë e njëjta gjë edhe për Stiven. Ai është kapiteni ynë dhe si i tillë do të qëndrojë me ne. Ky është i vetmi mendim që ne kemi krijuar në kokë deri më tani. Ne nuk duam të merremi me këto spekullime të kota. Tashmë, për ne ka rëndësi vetëm takimi i sotëm me Blekburnin dhe sidomos pikët që do të fitojmë. Nuk jam aspak i shqetësuar, sepse Zherard do të mbetet me ne. Prandaj, mua më pëlqen që të flas me atë, vetëm për takimet tona në Premier Ligë, të cilat kanë një rëndësi të madhe për ecurinë tonë në tabelën e klasifikimit. Unë përpiqem të flas me Stivin gjatë seancave stërvitore dhe ai më ka thënë se mendon vetëm për ndeshjet që kanë mbetur në kampionat. Duhet patjetër të kapim vendin e katërt, sepse për ne, kjo do të thotë pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›