Zola, një muaj jashtë
16/03/2005 Lajme të këqija për Kaljarin, sepse siç parashikohej, Xhanfranko Zola do të mungojë për rreth një muaj, për shkak të një dëmtimi në kofshën e djathtë. Zola u dëmtua gjatë ndeshjes së fundit, kundër Romës dhe u zëvendësua që në pjesën e parë, pasi shënoi një gol. Ish-sulmuesi i Parmës dhe Çelsit, megjithë moshën e tij të madhe, 38 vjeç, është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës sarde, që falë “magjive” të shtatshkurtrit Zola, ka kaluar nga objektivi minimal i qëndrimit në Serinë A, te “ëndrra” e kualifikimit në Kupën UEFA. Lojtari mendohet të kthehet në fushë kundër Lacios, në 17 prillin e ardhshëm, ndërkohë që skuadra po përgatitet për sfidën e nesërme kundër Sampdorias, e vlefshme për Kupën e Italisë. Duke parë edhe rezultatin e favorshëm të ndeshjes së parë (2 : 0), trajneri Arrigoni mund të hedhë në fushë një formacion me shumë lojtarë të stolit.