E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gorki flet për Malëshovën në kongresin e shkrimtarëve sovjetikë

16/03/2005  Cili ishte personaliteti i Sejfulla Malëshovës përballë kulturës sovjetike? Cili qe vlerësimi që i bëri Gorki në Kongresin e I të Shkrimtarëve sovjetikë? Si u pa nga sovjetikët portreti i oportunistit Malëshova? Si u formua trekëndëshi i marrëdhënieve komuniste?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës.

Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Po ashtu në vitin 1945, doli dhe vëllimi me vjershat e S.Malëshovës, i pari e i fundit në të gjallë të tij, me pseudonimin Lame Kodra. Krijimtaria e tij nisi në vitet ‘20 dhe tërhoqi vëmendjen e M.Gorkit, i cili, në fjalën e mbajtur në Kongresin I të shkrimtarëve sovjetikë, u shpreh për të me dashamirësi. Në Shqipëri ai u quajt poeti i revoltës, poeti i revolucionit. Vjershat patriotike si “Si e dua Shqipërinë”, “Klithma e Dragobisë”, etj., u bënë nga më populloret dhe hynë në tekstet shkollore. Madje, edhe për përkthime ai zgjodhi vepra, të cilat i përshkonte fryma kryengritëse revolucionare, siç janë “Internacionalja” e E.Potiesë, “Kënga e zgalemit” dhe “Kënga e skifterit” të M.Gorkit.

S. Malëshova përktheu shumë dhe me dashuri. Nga trashëgimia e tij e pasur letrare, do të desha të veçoja atë pjesë, që mund të bashkohet nën emërtimin “cikli rus”. Por, shumë punë të tij kanë humbur. Dihet, p.sh., që ai ka përkthyer shumë nga Pushkini, nga të cilat ka mbetur vetëm vjersha “Ançari”, e publikuar në vitin 1937. Më shumë përkthime kanë mbetur nga N.A.Nekrasovi, përfshi poemën “Kush jeton mirë në Rusi”, “Kujtimit të Dobroljubovit”, “Poeti dhe qytetari”, “Gjyshi Mazaj dhe lepujt”, “Udha e hekurt” e të tjerë.

Është për t’u theksuar, se tema ruse në krijimtarinë e S. Malëshovës zë fill përpara se ai të emigronte në Bashkimin Sovjetik. Më 16 shtator të vitit 1924, në kulmin e revolucionit, në gazetën “Bashkimi”, u botua miniatura e tij lirike një prozë poetike: “A keni dëgjuar ndonjëherë korin rus?”. Një vepër krejt e panatyrshme për kohën kur doli (Në Gjenevë, në Ligën e Kombeve, Fan Noli luftonte ndërkohë për njohjen e qeverisë së vet dhe Malëshova qe në krah të tij) dhe aq e ndryshme për nga karakteri me krijimtarinë e tij, sa ia vlen të japim disa rreshta.

“Disa orë me radhë, dje mbrëma na dehu dhe na çoi në botën e kthjelltë e të bukur të artit.

Ka zëra të thella plot dhembkë emallëngjim, që tronditën shpirtin tonë të mykur në këtë qark, ku na u zu fryma nga intrigat e shamatat e oërditshme.

Një natë një koncert i rusëve është një kurë e domosdoshme, një pastrim!

Mirëpo, dëgjojmë disa nga orthodhoksët e këtushëm se s’dashkan korin në kishë.

U pëlqejnë më mirë zërat e çjerra e të ngjirura që shpëtojnë nga gurmazët e djegur të psallëve.

Kësaj i thonë muzikë bizantine!

A ka kjo të bëjë me artin e perëndishëm të Bethovenit e të Shumanit?”

Në Moskë, muza e Lame kodrës heshti. Doli në pah “uni” i tij i dytë, Sejfulla Malëshova politikan me bindje socialiste, antifashist dhe patriot. Ai e përmbushi deri në fund detyrën e vet, ashtu si i thoshte ndërgjegja. Që pas mbledhjes së byrosë të dhjetorit të vitit 1945, atij i mbeti etiketa e oportunistit. Ai i mbrojti pikëpamjet e veta, por humbi. Në shkurt të vitit 1946, përjashtohet nga Byroja politike dhe lirohet nga postet e tjera, në organizatat ekonomike. Për pak më shumë se një vit, vazhdoi të drejtonte ministrinë e propogandës dhe kulturës, por pas plenumit të KQ të PKSH-së të majit të vitit 1947, që e përjashtoi nga partia, largohet përfundimisht nga arena politike.

Fati i mëtejshëm i këtij njeriu të rrallë qe tragjik. Për dy-tre vjet u internua në kampin e punës në Ballsh, ndërsa, pas lirimit, u transferua në Fier, ku ishte nën mbikëqyrjen e policisë. Emri i tij u harrua. Në qytetin e vogël, në të cilin jetoi e punoi, e njihnin të gjithë, por askush nuk guxonte, qoftë edhe ta përshëndeste. Më 11 korrik të vitit 1971, S. Malëshova vdiq nga apandesiti, që i kaloi në peritonit. E varrosi e motra, varrmihësi dhe dy agjentë të sigurimit.

Duke hedhur poshtë idetë e S.Malëshovës mbi demokracinë (e zgjeruar) popullore në Shqipëri, si periudhë kalimtare drejt një faze më të lartë, demokracisë socialiste, Byroja Politike e KQ-së përcaktoi zgjedhjen e vet. Në Plenumin V të KQ të PKSH-së, në shkurt-mars të vitit 1946, u dha orientimi për ndërtimin e socializmit. Ai nënkuptonte shfrytëzimin e modelit sovjetik të organizimit të pushtetit e të forcave prodhuese, përshtatur për kushtet shqiptare. U theksua se rruga drejt socializmit nuk ishte aspak e thjeshtë dhe popullit shqiptar do t’i duhej të kalonte vështirësi të karakterit politik ekonomik. Masat konkrete më të rëndësishme të përcaktuara nga plenumi parashikonin: përfundimin e shtetëzimit të ndërmarrjeve ekonomike, kontrollin sa më të madh mbi sektorin privat dhe kufizimin e mëtejshëm të veprimtarisë së tij, shtetëzimin e të gjitha materialeve të ndërtimit të tregtarëve dhe sipërmarrësve privatë, rritjen e rendimentit në bujqësi dhe nxitjen e krijimit të kooperativave, zhdukjen e analfabetizmit, dërgimin e studentëve në BRSS dhe Jugosllavi, pastrimin e organeve të pushtetit shtetëror nga sabotatorët dhe elementët armiqësorë, etj.

Në vendimet e plenumit theksohej domosdoshmëria e orientimit drejt BRSS-së, “që është garancia më e madhe e pavarësisë dhe pushtetit tonë popullor”. Për Jugosllavinë thuhej: “Politika jonë duhet të synojë drejt lidhjes më të ngushtë e konkrete me Jugosllavinë. Populli ynë duhet të kuptojë, se kjo miqësi vëllazërore është garancia e ekzistencës sonë”. Kështu lindi formula, që përcaktonte marrëdhëniet e trekëndëshit BRSS-Shqipëri-Jugosllavi: “rruga për në Moskë kalon përmes Beogradit”. Pra, fati i Shqipërisë duhej të vendosej në Moskë, por sipas skemës jugosllave, e cila, për udhëheqësit shqiptarë qe krejt e natyrshme. Që në qershor të vitit 1946, pas kthimit nga Beogradi, Hoxha i kumtoi ambasadorit sovjetik mendimin e Stalinit (sipas fjalëve të Titos), se “qeveria sovjetike e shikon Shqipërinë si një republikë motër, së cilës është e domosdoshme t’i jepet një ndihmë e madhe e gjithanshme”. Por vihej në dukje se Bashkimi Sovjetik do ta ndihmonte Shqipërinë nëpërmjet Jugosllavisë sepse, sipas mendimit të qeverisë sovjetike, ndihma e drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në kushtet aktuale, mund të shkaktonte pakënaqësinë e aleatëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›