E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fatmir Toçi: Do bëjmë publike listën e botuesve piratë

16/03/2005  Akuza e botuesve të “Korbit”, se është piratuar libri për fëmijë “Pipi çorapegjata”, shkruar nga Astrid Lindgrenit, prej dy botuesve të tjerë ka vënë në lëvizje dhe Shoqatën e Botuesve. Për këtë rast, kryetari i saj, Fatmir Toçi, thotë se janë duke verifikuar ankimin që ka bërë edhe përkthyesi i këtij botimi, Virgjil Muçi, duke shtuar se njihen me ekskluzivitetin që ka ky përkthyes për ta sjellë botimin për pesë vite në shqip. Duke e futur këtë në thesin e problemeve që kanë botuesit për të drejtën e autorit, Toçi thotë se po bëjnë gati listën e të gjithë botuesve që nuk ushtrojnë veprimtarinë e tyre, sipas rregullave të të drejtave të autorit. Së shpejti, sipas kreut të shoqatës, kjo listë do të bëhet publike. Masa e mëtejshme për të gjithë botuesit që shkelin copyright-in do të jetë përjashtuese. “Në mënyrë absolute nuk do të lejojmë asnjë shtëpi botuese të marrë pjesë në panair, nëse ka shkelur të drejtat e autorit”, ka deklaruar Toçi.

Para një dite, shtëpia botuese “Korbi” ka lëshuar alarmin se është piratuar libri ekskluziv me të drejtë autori për pesë vite, “Pipi çorapegjata”. A u vu në dijeni të kësaj ngjarjeje Shoqata e Botuesve, që vjen si rast pikërisht pas mbledhjes më të afërt kundër piraterisë?

Sapo ka ardhur një shqetësim tjetër në Shoqatën e Botuesve nga botuesit e “Korbit”, i cili ishte mjaft i acaruar, sepse në dy shtëpi botuese ka gjetur librin e tij “Pipi çorapegjata” të ribotuar, ndërkohë që ka blerë të drejtat e autorit, duke i vërtetuar për pesë vite.

Na erdhi keq, sepse, kjo prishi atmosferën e festës për Ditën e Verës. Por, ne duhet të rikonfirmojmë atë shqetësim që u bë nga një grup përkthyesish për piratime në fushën e përkthimeve. Do të thoja që plaga sapo është gërvishur dhe ka shumë probleme të tjera, nëse do të shikohej katalogu apo lista e botimeve të çdo shtëpie botuese. Këtu është harruar një fakt shumë i madh, letërsia për fëmijë, sepse nganjëherë kjo shikohet vetëm në përkthim. Por do t’ju rekomandoja të shikohet dhe vjedhja e hapur që i bëhet ilustrimeve nga botimet e huaja, të cilat skanohen dhe pa marrë leje hidhen në tregun e librit shqip. Një fatkeqësi më e madhe është akoma më tepër, që këto libra kanë gjetur si treg të hapur shkollat shqiptare, duke i shpërndarë me trasta, që ky fenomen i shëmtuar vazhdon me çmime simbolike.

Dhe, natyrisht që do të jetë kështu, sepse ato nuk paguajnë as të drejta, as përkthyes, asnjë element tjetër dhe kostoja e tyre del lirë.

Cilat janë shtëpitë botuese më problematike në pirateri që keni evidentuar deri tani?

Jemi në fazën e evidentimit. Por po shikojmë me shqetësim edhe denoncimin që bëri botuesi i “Korbit”, i cili ankohet për shtëpinë e “Vëllezërve Tafa” dhe për një shtëpi tjetër botuese, pa emër.

A ka qenë më parë problematike në këtë drejtim këta botues?

Ne shikojmë që për botimet për fëmijë, “Vëllezërit Tafa” janë të specilizuar, ndërsa po bëjnë një verifikim përfundimtar dhe në disa shtëpi të tjera botuese, të cilat botojnë nën logon “kolana e artë”, “libra të artë”, “thesare të letërsisë moderne për fëmijë” etj.

Mund të na thoni disa shtëpi botuese që i keni piketuar për pirateri?

Ne nuk duam të ngutemi siç janë ngutur disa, por duam të japim një listë përfundimtare në momentin që bëhet verifikimi i plotë, sepse nuk duam të hyjmë në hise të askujt. Por më vjen keq ta them, sepse jemi në përfundim të këtij sondazhi, po e quajmë kështu, dhe ato dyshimet tona po vërtetohen dhe shumë shpejt do t’ua bëjmë publike.

Veçse të bërit publik dhe evidentimit të rasteve, rreziku më i madh keni thënë është mbetja në konstatime. Çfarë do të bëni pas kësaj ngjarjeje?

Na vjen keq që po vërtetohet vërejtja që u bë në mbledhjen e shoqatës për piraterinë, se mbas prononcimit dhe zhurmës mediatike vjen heshtja dhe nuk vjen zgjidhja e problemit. E kemi thënë qysh në ditën e parë, se problemi do të ndiqet ligjërisht deri në fund, pra duhen bërë denoncime ligjore dhe duke marrë vërtetimin nga ligji se këto janë pirateri dhe vjedhje, atëherë shoqata e ka shumë më të lehtë që ta bëjë luftën brenda vetes, llojit për këta elementë, që në radhë të parë të mos jenë anëtarë të shoqatës dhe në radhë të dytë të luftohen në mënyrë profesionale, që ky fenomen të mos vazhdojë.

Cilat do të jenë masat me të cilat juve do t’ju lejohet të ndërmerrni për shtëpitë botuese që piratojnë?

Kërkoj të sqaroj një gjë, që panairi i Ditës së Verës nuk ishte organizim i yni, ky ishte një panair festiv, ku botuesit u ftuan nga Ministria e Kulturës, pra, mund të merrte pjesë çdo njeri që mund të kishte libra. Në panairet që do të organizojë shoqata e botuesve, këta në mënyrë absolute nuk do të jenë pjesëtarë, do të jenë të përjashtuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›