E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka kërcënon: Denoncim në UEFA për gjyqtarin gjeorgjian

Llogaria midis gjyqtarit gjeorgjian, Lashi Silagava, dhe shqiptarëve, ende nuk është mbyllur. Protagonisti i atij gjykimi skandaloz në miqësoren e së mërkurës në Baku, midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë (1-1), duket se do të përballet tashmë me kuqezinjtë në UEFA.

Denoncimi - Presidenti Armand Duka nuk ka ndërmend ta lërë me kaq çështjen e gjyqtarit gjeorgjian Silagava, i cili u fali vendasve një gol në pozicion jashtë loje, dha disa vendime në dëm të Shqipërisë, si dhe nxori me karton të kuq Elvin Beqirin. Duka u citua nga faqet azere në internet se do të ankohej në UEFA. "Do të shkoj në UEFA për t‘u ankuar për gjykimin, mësohet të ketë thënë Duka, nuk e lë me kaq". Media azerbajxhanase nuk harroi të theksonte se Duka është mik i Mishel Platinisë dhe se ky i fundit sapo e ka përfunduar një vizitë në Tiranë.

Kartoni - Vendimin e gabuar të gjyqtarit Silagava për kartonin e kuq ndaj Beqirit e ka konfirmuar 24 orë më vonë edhe Armend Dallku. Sipas "azerifootball.com", mbrojtësi kosovar thekson se shkaktar i ndëshkimit të shkodranit ishte sulmuesi serb i Azerbajxhanit, Branimir Subashiç. "Unë jam shqiptar nga Kosova dhe kuptoj e flas lirshëm serbisht, u shpreh Dallku. Sulmuesi serb Subashiç e shau Beqirin dhe ky u detyrua t‘ia kthente. Ai nuk shau gjyqtarin. Ai pati një debat me sulmuesin serb. Unë jam shqiptar i lindur në Kosovë, ndaj flas e kuptoj lehtësisht serbisht. Unë e mora vesh se çfarë po fliste Subashiç. Po kështu, natyrisht, kuptova edhe Beqirin. Fjalët e tij ishin drejtuar kundër sulmuesit tuaj, jo kundër gjyqtarit".

Gjykimi - Mbrojtësi i kuqezinjve ka folur edhe për episodet e tjera të ndeshjes, duke pohuar se dora e gjyqtarëve gjeorgjianë u ndje thuajse në çdo minutë të lojës. "Nuk mund të rri pa përmendur gjykimin e arbitrit gjeorgjian. Madje nuk arrij ende ta kuptoj sesi mund të ndodhë një gjë e tillë në ndeshje mes përfaqësueseve. Për ne ishte shumë e vështirë të luhej në kushte të tilla, por skuadra tregoi pjekuri dhe nuk u thye as para gabimeve më të rënda të gjyqtarit gjeorgjian".

Rikthimi - Pas një aventure shumë dekurajuese janë rikthyer në atdhe, në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas pjesa e delegacionit shqiptar, e përbërë nga lojtarët e Kombëtares që luajnë në kampionatin shqiptar dhe drejtuesit e federatës së bashku me të deleguarit pjesëmarrës në delegacionin që e shoqëroi ekipin kombëtar në Azerbajxhan. Pas një udhëtimi maratonomak, që filloi që në orën 3:00 të mëngjesit, delegacioni mbërriti në Aeroportin e Rinasit. Të lodhur dhe të mërzitur nga rrjedhshmëria zhgënjyese e ngjarjeve në Baku, anëtaret e stafit u shpërndanë në destinacionet e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›