Bentler: KFOR-i i përkushtuar për ruajtjen e qetësisë
Gjenerali Markus Bentler thotë se Serbia nuk paraqet kërcënim për Kosovën.
Komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler ka thënë se fokusi kryesor i misionit të ristrukturuar të NATO-s në Kosovë do të jetë në veriun e banuar me shumicë serbe, për shkak të siç tha ai, potencialit që ekziston atje për trazira.
Gjenerali Bentler që komandon dhjetë mijë pjesëtarët e KFOR-it në Kosovë siguroi se trupat e tij do të mbrojnë integritetin territorial të vendit dhe do të sigurojnë mjedis të sigurtë për të gjitha komunitetet.
Ai bëri të ditur se KFOR-i nuk është pjesë e strategjisë së Prishtinës për integrimin e veriut, me të cilën synohet vendosja e ligjshmërisë në këtë pjesë të vendit.
Komandanti i trupave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë tha se shpreson që problemi i veriut të zgjidhet në rrugë politike, duke përjashtuar përdorimin e dhunës.
Sipas tij, stërvitjet e ditëve të fundit të ushtarëve amerikanë në veri tregojnë për përkushtimin e KFOR-it për të ruajtur qetësinë në këtë pjesë.