Bentler: "Nuk jemi pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës"
Komandanti i forcave paqeruajtëse në
Kosovë, gjenerali gjerman Markus Bentler tha në një intervistë për Zërin e
Amerikës se KFOR-i nuk është pjesë ë strategjisë për integrimin e veriut të
Kosovës. Ai tha se në atë pjesë të vendit ka ende rreziqe të kufizuara për
gjendjen e sigurisë që sipas tij në përgjithësi është e qetë. Në intervistën
dhënë korrespondenti tonë në Prishtinë Besim Abazi, gjenerali Bentler tha se
përmirësimi i shkallës së sigurisë ka lejuar shkurtimin e pranisë së NATO-s në
dhjetë mijë ushtarë, ndërsa nënvizoi se tash për tash nuk ka asnjë vendim për
shkurtime të tjera.
Zëri i Amerikës: Gjeneral, si do ta vlerësonit situatën aktuale të sigurisë
në Kosovë në dritën e shkurtimeve aktuale të trupave tuaja?
Markus Bentler: Siç e kamë
thënë në shumë raste, unë e vlerësojë situatën e sigurisë në Kosovë shumë të
favorshme. Ky është një sukses bazik që është arritur gjatë këtyre dhjetë
viteve. Kjo ishte arsyeja që Këshilli Veri atlantik të bëjë këtë lëvizje dhe
siç e dini tashmë kemi rreth 10 mijë trupa në terren dhe ne besojmë se gjendja
e sigurisë e lejon një gjë të tillë. Nuk është vetëm KFOR-i ai që ofron siguri,
por janë edhe partnerët tanë, është EULEX-i, është policia e Kosovës dhe jam i
bindur se bashkëpunimi ndërmjet këtyre partnerëve do të çojë në shkallën e
njëjtë të sigurisë që qytetarët e Kosovës kanë gëzuar viteve të fundit.
Përgjithësisht mendoj se ka pasur lëvizje pozitive dhe kjo ka mundësuar marrjen
e hapave të tillë.
Zëri i Amerikës: Flisni edhe për situatën në veriun e Kosovës dhe në
zonat e banuara me shumicë serbe?
Markus Bentler: Natyrisht ju mund të bëni krahasime ndërmjet pjesëve të
ndryshme. Ka pjesë në Kosovë për shembull kur shihni në jug, në lindje apo edhe
në qendër të Kosovës ku situata është vërtetë e favorshme. Por ka edhe pjesë të
tjera si në veri, ku ka kundërshti ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, ku ka
ende çështje politike që presin zgjidhje. Atje shkalla e rreziqeve apo
kërcënimeve është më e madhe sesa në pjesët tjera ku është relativisht
qetë. Dhe qasja e forcave tona do ta pasqyrojë këtë. Mendoj se është e
sigurt të them se ne si KFOR kemi zhvilluar një forcë që do të jetë në gjendje
të përgjigjet në çdo sfidë dhe të përqendrohemi në zonat e ndjeshme ku ka ende
rrezik për përplasje e dhunë. Ajo që po bëjmë ne është një qasje mjaft e
përgjegjshme. Në veriu ka rreziqe për sigurinë, por nuk ka kërcënime
nga jashtë Kosovës
Zëri i Amerikës: Gjeneral, a ka rrezik për trazira në pjesën veriore të
Kosovës?
Markus Bentler: Rreziku është gjithmonë aty. Kemi parë vitin e kaluar
në pjesën veriore të Mitrovicës, në Kroin e Vitakut disa përplasje dhe dhunë
gjatë ndërtimeve në atë zonë, që janë menaxhuar mirë nga EULEX-i dhe policia e
Kosovës. Nuk e vlerësojmë si rrezik të shkallës së gjerë, ai mund të jetë i
kufizuar, por ne ende jemi mjaft të përqendruar në atë zonë dhe nuk mund ta
shpërfillim rrezikun ekzistues. Do të doja të shfrytëzoja mundësinë t'u bëjë
thirrje të gjithë politikanëve dhe posaçërisht popullatës që të përmbahen nga
dhuna dhe të mbështeten në shërbimet tona dhe në procesin politik.
Zëri i Amerikës: Ditët e fundit është publikuar ajo që është quajtur
strategjia për integrimin e veriut nga qeveria e Kosovës dhe zyra civile
ndërkombëtare. Cili është roli juaj në zbatimin e kësaj strategjie?
Markus Bentler: Ne nuk luajmë rol në zbatimin e asaj strategjie. Ne nuk
kemi qenë pjesë e hartimit të saj. Siç e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës ne
jemi të paanshëm. Ne nuk mund të jemi pjesë e një strategjie të tillë. Por,
roli ynë është shumë i rëndësishëm e ai është ruajtja e mjedisit të sigurt dhe
lirisë së lëvizjes në Kosovë. Ne po ndjekim zhvillimet politike me kujdes, po
vëzhgojmë çfarë po ndodhe dhe natyrisht në një mënyrë të caktuar ne
mbështesim çdo përparim politik që mund të çojë në përmirësimin e kushteve të
jetës për qytetarët.
Zëri i Amerikës: Gjeneral, prania juaj në Kosovë nënkupton nevojën për
të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë, pra për arsyen se ka
rreziqe për Kosovën. Cilët janë në fakt rreziqet kryesore, kërcënimet kryesore
për sigurinë në Kosovë?
Markus Bentler: Pikë së pari dua të them se rreziqet nuk vijnë nga
jashtë. E di se shumë njerëz janë të shqetësuar për zhvillimet e mundshme në
kufij, për lëvizjet e trupave serbe etj. Jam i bindur se nuk kërcënohet nga
jashtë. Nga kjo pikëpamje, Kosova si entitet me praninë e KFOR-it këtu është
vend i sigurt. Cilat mund të jenë kërcënimet? Nëse ka ndonjë të tillë atëherë është
brenda shoqërisë së Kosovës. Kur themi se duam të punojmë dhe të jetojmë së
bashku kjo nënkupton tolerancë, pranim i njëri tjetrit dhe gjetje e një mënyre
për të tejkaluar plagët e së kaluarës. E vetmja gjë që mund të rrezikojë
procesin është veprimi i grupeve apo individëve të vijës së fortë për të
dëmtuar procesin pozitiv që po zhvillohet. Kur flasim ta zëmë për trashëgiminë
kulturore e fetare, pjesa më e madhe e njerëzve në Kosovë janë të përgjegjshëm
dhe i shohin ato si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë dhe historisë së tyre.
Ne i nxisim të gjithë që të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm... Vazhdojmë të mbajmë dhjetë mijë trupa në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Gjeneral, zyrtarët e lartë të NATO-s në takimin e fundit që u mbajt
në Stamboll kanë përmendur faktin se nevoja për shtimin e trupave në Afganistan
nënkupton shkurtimin e trupave në Kosovë. A është kjo një prej arsyeve për
shkurtimin e trupave tuaja?
Markus Bentler: Unë kurrë nuk kamë parë një lidhje të tillë. Kur i
shihni me kujdes komunikatat apo deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të
NATO-s, ai kurrë nuk e ka përmendur këtë dhe unë nuk shoh ndonjë lidhje.
Natyrisht nuk do të them që nuk ka një trysni të caktuar në lidhje me buxhetin
apo nevojën e grumbullimit të trupave e tjerë. Por unë besoj dhe jam i
mbështetur nga eprorët e mi në zinxhirin komandues që në të bëjmë punën tonë
siç e kemi bërë edhe në të kaluarën pa u varur nga angazhimet tjera në botë.
Thashethemet qe dëgjoni për shkurtime të shpejta, numrat që dalin gjithandej në
media nuk janë të bazuar në realitet. Ajo që mund t'u them juve sot dhe
shikuesve e dëgjuesve tuaj është se ne kemi arritur këtë shkallë dhe nuk është
marrë ndonjë vendim për veprime të mëtejshme, nuk ka një mandat për të shkuar
më tej dhe tash për tash ne po vëzhgojmë dhe vlerësojmë se çfarë do të ndodhë.
Dhe nëse do të ketë ndonjë vendim tjetër, ju, palët e përfshira dhe qytetarët e
Kosovës do të jenë të informuar. Por, ai do të jetë një vendim jo i lehtë dhe i
përgjegjshëm.
Zëri i Amerikës: Do të thotë ju vazhdoni të qëndroni në Kosovë me 10
mijë trupa sa janë aktualisht?
Markus Bentler: Tash për tash po.
Zëri i Amerikës: Shkurtimi i
trupave tuaja do të duhej të nënkuptonte forcimin e mekanizmave të brendshëm të
sigurisë në Kosovë. A janë këta mekanizma mjaft të fuqishëm për të mbushur
boshllëkun që krijon shkurtimi i trupave tuaja?
Markus Bentler: Mendoj se është një pyetje shumë e mirë që çon tek
çështja se sa e përgjegjshme ishte përshtatja e KFOR-it. Ne kemi bashkëpunim
shumë të mirë me partnerët tanë në EULEX me të cilët punojmë në baza ditore dhe
posaçërisht me policinë e Kosovës. Ta zëmë unë morra pjesë në një patrullim të
përbashkët në juglindje të Kosovës dhe duke folur me ata oficerë, duke folur me
njerëzit, duke parë sa ngrohtësisht janë të pritur dhe sa krenarë që janë, unë
ndjehem mirë me zhvillimin e kësaj force të rëndësishme në Kosovë. EULEX-i
punon ngushtë duke i ndihmuar ata dhe unë jam shumë optimist.
Zëri i Amerikës: Gjeneral, ju e mbikëqyrni ngritjen e Forcës së Sigurisë
së Kosovës. Si po zhvillohet ky proces?
Markus Bentler: Siç e dini, ne jemi përfshirë që nga fillimi dhe kjo
është detyrë e re e KFOR-it që të ndërtojnë një forcë të re që nga fillimi. Ajo
ka arritur kapacitete e saj fillestare në shtator të vitit të kaluar dhe tash po
ecim drejt arritjes së kapaciteteve të plota. Mund të jenë dy apo tri vjet nuk
e di. Mendoj se po ecën shumë mirë. Tashmë ka një personel të mirë dhe një
numër udhëheqësish profesional, është ministria e cila po punon shumë për të
ecur përpara dhe një punë e mirë e 168 ushtarëve të mi, ka fonde dhe mbështetje
të mirë të komunitetit ndërkombëtarë. Mendoj se do të jetë një forcë e mirë në
shërbim të qytetarëve të Kosovës. Ajo është forcë për operacione humanitare. Ka
pasur një boshllëk në mundësitë e Kosovës. Përgjithësisht jam i kënaqur. Por do
të isha shumë më i kënaqur po të shihja më shumë pakica në këtë forcë,
posaçërisht serbë. Kjo do të ishte një shenjë e mirë jo vetëm për këtë forcë,
por edhe për zhvillimin e një shoqërie shumetnike. Kjo mund të ishte
udhërrëfyese për të ardhmen dhe për këtë arsye u bëjë thirrje të gjitha tyre që
kanë dëgjuar për fushatën e rekrutimit të bashkohen sepse kjo është rrugë e
mirë për të ecur përpara.
Zëri i Amerikës: Gjeneral, a është Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria
e ardhshme e saj?
Markus Bentler: Kjo nuk është pyetje për mua sepse mandati që kamë
marrë nga eprorët e mi është shumë i qartë, për të ngritur një forcë shumetnike
të armatosur lehët që do të merret me fatkeqësi, mbështetje mjekësore, kërkim
shpëtim e tjerë. çfarë do të jetë e ardhmja, çfarë do të ndodhë, mbetet për t
'u parë dhe kjo është çështje politike. Kjo do të duhet të diskutohet në forume
të posaçme. Gjithçka duhet të shqyrtohet dhe ky vendim ende nuk është marrë.
Dua të them se pavarësisht çfarë janë aspiratat, ëndrrat, mandati im është i
qartë. Ajo që dua të nënvizojë është se punë më e mirë për këtë forcë është të
bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë shërbimet tona të mira për ngritjen e tyre
dhe tërë ajo që mund të marrin prej nesh është një dhuratë e madhe. T'ua lëmë
trupave politikë në NATO apo kushdo qoftë që të vendosin për të
ardhmen.