Sarkozy dhe mbreti Gustaf urojnë Sejdiun për pavarësinë
PRISHTINE- Me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu sot ka marrë mesazhe urimi nga Nicolas Sarkozy, president i Franëcs, dhe Carl Gustafi, mbreti i Suedisë. “Me rastin e festës kombëtare dhe ditëlindjes së dytë të pavarësisë, ju prezantoj, në emrin tim dhe në emër të popullit francez, urimet e mia më të ngrohta. Gëzohem shumë për përparimet e konsiderueshme të realizuara në Kosovë gjatë vitit që shkoi, si në skenën ndërkombëtare ashtu edhe në planin e brendshëm. Vendi juaj e ka përforcuar integrimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare. Numri i rritur i njohjeve të marra dhe aderimi në shumë institucione financiare prestigjioze e nënvizon karakterin e pakthyeshëm të pavarësisë së tij. Franca do të vazhdojë të veprojë në mënyrë që tërë Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, t'i bashkohet Unionit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Ju mund të llogarisni në përkrahjen tonë të plotë”, thuhet pos tjerash në mesazhin e presidentit Sarkozy. Ndërsa mbreti suedez, Carl Gustaf, i ka dërguar presidentit Sejdiu “urime të sinqerta dhe urime më të mira për prosperitetin e popullit të Kosovës me rastin e Ditës Kombëtare të Republikës së Kosovës”.(m.a/BalkanWeb)