E Diel, 1 Nëntor 2026

Bentler: Nuk jemi pjesë e strategjisë për veriun e Kosovës

PRISHTINE- Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali gjerman Markus Bentler tha në një intervistë për VOA, se KFOR-i nuk është pjesë e strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës. Sipas Bentler, në atë pjesë të vendit ka ende rreziqe të kufizuara për gjendjen e sigurisë që në përgjithësi është e qetë. Në intervistën e dhënë gjenerali Bentler tha se përmirësimi i shkallës së sigurisë ka lejuar shkurtimin e pranisë së NATO-s në dhjetë mijë ushtarë, ndërsa nënvizoi tani nuk ka asnjë vendim për shkurtime të tjera. “Unë e vlerësoj situatën e sigurisë në Kosovë shumë të favorshme. Ky është një sukses bazik që është arritur gjatë këtyre dhjetë viteve. Kjo ishte arsyeja që Këshilli Veri atlantik të bëjë këtë lëvizje dhe siç e dini tashmë kemi rreth 10 mijë trupa në terren dhe ne besojmë se gjendja e sigurisë e lejon një gjë të tillë”-deklaroi Bentler. I pyetur nëse ka rrezik për trazira në pjesën veriore të Kosovës, gjenerali Markus Bentleru përgjigj se “Rreziku është gjithmonë aty. Kemi parë vitin e kaluar në pjesën veriore të Mitrovicës, në Kroin e Vitakut disa përplasje dhe dhunë gjatë ndërtimeve në atë zonë, që janë menaxhuar mirë nga EULEX-i dhe policia e Kosovës. Nuk e vlerësojmë si rrezik të shkallës së gjerë, ai mund të jetë i kufizuar, por ne ende jemi mjaft të përqendruar në atë zonë dhe nuk mund ta shpërfillim rrezikun ekzistues. Do të doja të shfrytëzoja mundësinë t'u bëjë thirrje të gjithë politikanëve dhe posaçërisht popullatës që të përmbahen nga dhuna dhe të mbështeten në shërbimet tona dhe në procesin politik.”(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›