Mediat sulmojnë Berluskonin për batutat gjatë takimit me Berishën
ROME- Kryeministri Italian Berluskoni u vu në shënjestrën e mediave italiane për batutën gjatë konferencës me kryeministrin Berisha , kur tha se përjashtim për moratoriumin e skafeve do të kishte vetëm për vajzat e bukura. Ndërhyrja që kryeministri italian ka bërë në kohën kur kreu i qeverisë shqiptare Berisha fliste për moratoriumin e skafeve , duke thënë se i kishte kërkuar homologut të tij të bënte një përjashtim për vajzat e bukura ka zënë faqet e para të mediave online në Itali. “Berluskoni pret Berishën: Nga Shqipëria vetëm vajza të bukura” është titulli që Corriere della Sera ka gjetur për të polemizuar kryeministrin italian, që shpesh herë është sulmuar për cilësinë e tij , si mjaf i afruar me femrat dhe gjithmonë gati për tu shoqëruar me femra të bukura edhe kur dukej lumturisht i martuar. Gazeta La Repubblica mjaftohet me titullin “Humori i Berluskonit me Berishën: Kandestinët? Lejohen vetëm vajzat e bukura” . Berluskoni e ka nisur firmosjen e marrëveshjes gjithashtu me batutë që më tepër i ngjan një ironie, kur ka thënë se shkaku që ai shkruante ngadalë ishte fakti që ai tashmë ishte i moshuar por se miku i tij Berisha nuk ka nguruar ti bëjë një kompliment kur ka thënë se shumë të rinj do të donin të kishin këtë energji. Edhe klasa politike në Italinë fqinje ka nxituar të sulmojë kryeministrin Berluskoni për shakatë dhe batutat e tij. Komunistet italianë nuk e cmojnë humorin e kryeministrit duke thënë se Berluskoni nuk harron të bëjë batuta të ulta edhe përballë një tragjedie sic është emigracioni i njerëzve të varfër. “Kryeministri përsërit maninë e tij për femra të bukura të kthyera në një mish të freskët për tu konsumuar” shprehen komunistët italianë. Nuk është as hera e parë dhe as e fundit që kryeministri ndodhet në shëjestrën e mediave italiane dhe ku nga skandali i fundit bashkëshortja e tij kërkoi zyrtarisht divorcin pas më shumë se 20 vitesh martesë. (e.n/News24/BalkanWeb)