Zgjedhjet në FSHF në vëmendjen e UEFA-s
TIRANE- Zëvendës sekretari i përgjithshëm i UEFA-s Teodoros Teodoridhis deklaroi se zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit do të jenë nën vëmendjen dhe monitorimin e plotë të UEFA-s. I pranishëm në inaugurumin e fushës së re me bar artificial të kompleksit Dinamo, ai u shpreh se UEFA do të dërgojë njerëzit e saj më 9 mars, për të parë punimet e Asamblesë Zgjedhore. “Ne ndjekim me kujdes të gjitha zgjedhjet që bëhen në federatat tona anëtare dhe kështu do të bëjmë edhe me Shqipërinë. Për të ndjekur Asamblenë do të vijë presidenti i Federatës Spanjolle Angel Maria Vilar, i cili në fund do të japë edhe vlerësimin e tij për rregullsinë e zgjedhjeve” theksoi Teodoros Teodoridis. Ndërkohë, i pyetur për dy skuadrat shqiptare, Tiranën e Vllazninë, të cilat janë nën hetim nga UEFA për trukim rezultatesh, zëvendës sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni u tregua diplomat në përgjigjen e tij. “Ne ruajmë pavarësinë e komisioneve tona, që po e shqyrtojnë këtë çështje. Këto klube janë nën hetim dhe askush nga UEFA nuk do t’ju japë një përgjigje se çfarë po ndodh me këtë hetim, derisa të ketë dalë vendimi i Komisionit tonë Disiplinor” u shpreh Teodoridis. Zëvendës sekretari Teodoridhis mori pjesë në përurimin e dy fushave të reja për klubet shqiptare. Të enjten ai ishte në Kavajë, ndërsa sot në kryeqytet. Ai deklaroi gjithashtu se projekte të tilla për zhvillimin e infrastrukturës në sport, do të ketë para çdo edicioni të kampionatit europian. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)