PE, Buzek: Dialog për ti dhënë fund krizës politike
TIRANE- Pak orë përpara tryezës së shumëpritur të Presidentit Topi, për ti dhënë fund krizës politike, kreu i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek inkurajon liderët politikë të zgjidhin përmes dialogut ngërcin politik në vend. Përmes një deklarate për mediat, Presidenti PE ka përshëndetur iniciativën e presidentit Topi për organizimin e tryezës së dialogut. “Mirëpres iniciativën e Presidentit Topi për organizimin e tryezës së negociatave me liderin e qeverisë dhe opozitës shqiptare nesër në Tiranë. Shpresoj që këto bisedime do të sjellin zgjidhjen e krizës politike e cila lindi që nga zgjedhjet e përgjithshme të qershorit” thuhet në deklaratën e Presidentit të PE. Duke nënvizuar nevojën e dialogut politik si të rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit, Buzek shpreh urimet e tij që bisedimet e nesërme të jenë të suksesshme dhe të zgjidhin krizën. “I uroj fat politikanëve shqiptarë dhe jemi në pritje të lajmeve inkurajuese, nesër nga Tirana” përfundon deklarata e Presidentit të PE, ku në fund theksohet dhe njëherë rezoluta e 26 nëntorit 2009, e miratuar nga Parlamenti Europian lidhur me zgjedhjet. (e.n/BalkanWeb)