Benzema firmos golin e 300 të Realit në Champions

Karim Benzema shënoi kundër Okserit golin e 300-të të Realit të Madridit në Ligën e Kampioneve. Sulmuesi francez i të “bardhëve” shënoi me kokë në minutën e 11-të të ndeshjes, pasi një shërbimi të mrekullueshëm të Kristiano Ronaldos. Benzema hyn kështu në historinë e Realit të Madridit. Ndeshja kundër Okserit përfundoi 4-0 me Benzemanë autor të 3 golave dhe Kristiano Ronaldos që kompletoi pokerin e Realit.
Ivan Zamarona ishte autori i golit të parë madrilen në Ligën e Kampioneve. Ishte 27 shtatori i vitit 1995, pra më shumë se 15 vjet më parë, në ndeshjen Real Madrid-Grasshoper (2-0). Goli i 50-të ishte vepër e Raulit, i cili vulosi fitoren në Real Madrid-Spartak Moskë (2-1).
Savio Bartolini realizoi golin e 100-të kundër Sportingut të Lisbonës, ndërkohë që Jeremi shënoi golin më numër 150 kundër Bajernit të Munihut. Ronaldo kompletoi golin e 200-të në fitoren kundër 2-1 në Marsejë. Rrjeta e 250-të i përket holandezit Rud van Nistelroit, në fitoren 2-1 kundër Verder Bremenit, më 18 shtator 2007.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Enjte, 09 Dhjetor 2010