E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi në Gërdec, politika në lëvizje menjëherë mbas ngjarjes

Erald Kapri

Shpërthimi i rëndë në fshatin Gërdec, vetëm 12 kilometra larg kryeqytetit, ka vënë në lëvizje të gjithë kupolën e shtetit dhe politikës. Menjëherë mbas shpërthimit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, i shoqëruar nga stafi i ngushtë i tij, ka shkuar në Spitalin Ushtarak ku ka vizituar të lënduarit e parë që kishin ardhur në spital. I shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, Presidenti bëri një apel për qetësi. Kreu i shtetit u bëri thirrje mediave dhe të afërmve të tregojnë qetësi sepse situata është tepër e rëndë. “Shpresojmë që të vijë duke u ulur fluksi i njerëzve që vijnë për ndihmë në spital. Unë kam vizituar spitalet. Në situata të tilla duhet të lejojmë personelin të punojë dhe të ndërhyjë për të riparuar dëmet. Është një moment për të punuar me cilësi. Është e vështirë të kontaktosh me banorët në Gërdec për shkak të zonës, megjithatë është duke u punuar për të normalizuar situatën”, - deklaroi Presidenti Topi.
Reagimet
Mediat ishin përqendruar pak rreth mesditës në Kryeministri ku pritej që kryeministri Sali Berisha të jepte një konferencë shtypi në lidhje me takimin e tij që sapo kishte përfunduar me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni, Mehduh Thaçi. Kryeministri sapo mori vesh lajmin për shpërthimin e rëndë të municioneve në fshatin Gërdec i kërkoi falje kryetarit Thaçi dhe menjëherë doli para gazetarëve duke u thënë lajmin jo para kamerave. Mbas disa minutash, kur kishte kaluar mesdita, kryeministri dha konferencën e parë për shtyp në lidhje me ngjarjen. “Jemi në një situatë të rëndë për shkak të shpërthimit të municioneve në fshatin Gërdec, që është pak metra larg Vorës, gjatë procesit të çmontimit që po kryhej nga një kompani. Në vend kanë mbërritur helikopterë për të nxjerrë të plagosurit, por deri tani situata është e bllokuar. Po bëhet evakuimi i popullatës nga fshatrat përreth, por shpërthimet vazhdojnë. Po e ndjekim çdo minutë këtë situatë për të mundësuar zvogëlimin e dëmeve të saj”, - u shpreh Berisha. Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe një grup deputetësh të Partisë Socialiste janë nisur me urgjencë drejt vendngjarjes, pasi mësuan për lajmin tronditës të shpërthimit të një depoje armatimi në afërsi të Vorës. Kryetari i PS-së, Rama, bashkë me grupin e deputetëve, Idrizi, Braçe, Isaraj e Klosi, më pas i janë drejtuar Spitalit Ushtarak në Tiranë për të parë nga afër gjendjen e të lënduarve.
Vizitat në spital
Polikanët e nivelit të lartë janë takuar me njëri-tjetrin në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Kryeministri Berisha është takuar rastësisht në korridor me kryetarin e opozitës Edi Rama ku e informoi mbi ngjarjen dhe pritshmërinë. “Jemi në gatishmëri të plotë”, - iu përgjigj Berisha, Ramës. Në spital, kryeministri Berisha foli me disa të lënduar si dhe me punonjësit që punonin në repartin e asgjësimit të municionit luftarak. Ndërkohë, edhe Presidenti Topi vizitoi disa të lënduar, të cilëve u dha kurajë. “Sigurisht, ishte një vizitë shumë e shkurtër në Spitalin Ushtarak, sepse ky është momenti që duhet të lejojmë stafet mjekësore, duhet të lejojmë forcat e policisë që të punojnë, të punojnë në kushte qetësie”, - tha Topi. Vizita te të lënduarit kanë bërë edhe deputetët e opozitës.

17 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›