E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë në burg doganierët

• “Burg pa afat” ka vendosur Gjykata e Faktit në Berat për dy zyrtarët e degës së doganës të arrestuar për korrupsion.BERAT/ DILAVER XHELILITrupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë, përballë mbrojtjes së avokatëve se provat ishin të manipuluara.  Hodo Hasani, ish-kreu i degës së doganës dhe punonjësi i pranimit, Shaban Danushi, të arrestuar më 13 mars me akuzën e “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”, kanë mbërritur njëri pas tjetrit në gjykatë. Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar për ta qëndrimin në qeli, deri në fund të hetimeve, pasi sipas tij arrestimi në kushtet e flagrancës justifikonte këtë masë. Ai ka deklaruar se Hasani dhe Danushi u ndaluan menjëherë pasi kishin përvetësuar nga një tregtar një shumë parash, të cilat duhet të dorëzoheshin në arkën e shtetit. Provë për këtë akuzë, prokurori ka paraqitur numrat e serive të parave që iu bllokuan pas ndalimit dhe deklarimet e një tregtari nga qyteti i Beratit. Përballë këtyre fakteve kanë reaguar avokatët mbrojtës të dy të ndaluarve. Ata i kërkuan trupit gjykues lirimin e tyre ose vendimin për një masë të lehtë sigurie, duke i cilësuar provat dhe vetë arrestimin të manipuluara. Avokatët kanë pretenduar se gjithçka është sajuar për të goditur figurën e vetë drejtorit të doganës si dhe të vartësit të tij. Megjithatë, kërkesa e mbrojtjes nuk është marrë parasysh në seancën e djeshme nga gjykata, duke u lënë në fuqi masa e vlerësimit “burg pa afat”, ndërsa hetimet po vazhdojnë. Dy zyrtarët e degës rajonale të doganës, në Berat u arrestuan pasditen e së enjtes, pak kohë pasi kishin përfunduar punën me zhdoganimin e një sasie malli, në pronësi të një tregtari beratas. Atyre iu bllokua në cilësinë e provës shuma prej 270 mijë lekësh dhe 300 eurosh, të cilat sipas policisë kishin të njëjtët numra serie me paratë që tregtari u kishte dhënë. Arrestimi i dy drejtuesve të doganës erdhi pas denoncimit të tregtarit e më pas, gjatë ditëve pas kësaj mase, të tjera burime të policisë pohuan se regjistruan ankesa ndaj tyre nga biznesmenë të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›