Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme, në gatishmëri të plotë
Kryeministri Sali Berisha urdhëroi Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për të administruar ngjarjen mbas shpërthimit të depos së municionit në fshatin Gërdec, vetëm 12 kilometra larg Tiranës. Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Luan Hoxha, si dhe nga zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri, u vendosën në Vorë nga ku monitoronin situatën. Ndërkohë, ministri i Brendshëm ,Bujar Nishani, si dhe ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, qëndruan në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas shpërthimit të ndodhur në një depo të çmontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Ministria e Brendshme ka ngritur shtabin e emergjencës, ndërsa ministrat ndoqën nga afër situatën e krijuar, ku si rezultat i disa shpërthimeve u lënduan qindra persona.
17 Mars 2008