E Diel, 1 Nëntor 2026

"Benzi" "presidencial" TR 3055 K, dy djem dhe një vajzë te Moisiu

25/01/2005  

Rrezikohet jeta e Presidentit të Republikës. Një automjet tip "Benz" me targa TR 3055 K ka arritur të kalojë të gjitha postblloqet dhe të depërtojë deri tek oborri i vilës së kreut të shtetit, Alfred Moisiu. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20.45 të së djeshmes te Pallati i Brigadave.

Ngjarja

"Benzi" gri ka arritur të kalojë të gjitha ndalesat ushtarake të Gardës së Republikës, që të shpien te Pallati i Brigadave. Burime zyrtare nga Ministria e Rendit Publik, bëjnë të ditur se mbeten ende të paqarta rrethanat e hyrjes së tyre në rrethinat e rezidencës presidenciale. Ka gjasa që ata të kenë mashtruar rojet, duke u motivuar me ndonjë justifikim të besueshëm. Por ky version u vjen i pabesueshëm oficerëve të antikrimit në Ministrinë e Rendit. Për t'u rikthyer sërish në argumentin kryesor, mësohet se "Benzi" "presidencial" e përshkroi distancën që ndante rrugën e Elbasanit nga pallati në një periudhë tejet të shkurtër kohore. Paskëtaj me të mbërritur tek oborri i selisë së Moisiut, automjeti ka ndaluar. Ata që e vunë re të parët praninë e të huajve në mjediset e Pallatit të Brigadave, ishin oficerët dhe rojet e brendshme të ndërtesës. Ata komunikuan me kolegët e tyre dhe morën përgjigje që nuk i shkonin për shtat situatës. Ky fakt bëri që në pak sekonda të gatitej plani i ndërhyrjes, i cili kërkonte shumë forca, pasi nuk dihej se çfarë përfaqësonin të panjohurit. E megjithatë, miqtë e paftuar nuk u ngacmuan, duke u vëzhguar nga larg për t'i patur nën kontroll. Nga ana e tyre, ata nuk dolën jashtë makinës, por qëndruan në pritje.

Ndalimi

Rebelët nuk kanë mundur ta gëzojnë shumë kohë suksesin e tyre. Hyrja e makinës ka bërë që pak çaste më pas të jepet alarmi. Forca të shumta të Gardës së Republikës dhe nga Policia e Shtetit, kanë bërë të mundur bllokimin e autoveturës, pikërisht në momentin kur ajo posa kish ndaluar para derës së Pallatit të Brigadave. Të njëjtat burime saktësojnë se, në mjet gjendeshin 3 persona. Dy prej tyre ishin meshkuj dhe një femër. Timonin e kishte një djalë me mustaqe rreth 180 cm i gjatë dhe pa asnjë shenjë tjetër të veçantë. Mësohet se ata nuk bënë asnjë rezistencë për të kundërshtuar policinë, apo qoftë dhe për t'u larguar nga vendi i ngjarjes. Blutë u habitën tej mase kur vërejtën praninë e femrës mes rebelëve. Të tre personat u shoqëruan menjëherë në ambientet policore për t'u marrë në pyetje. Deri në orët e vona të natës ata iu përgjigjën oficerëve të SHKB-së dhe Shërbimit Informativ Shtetëtor, që mori nën hetim incidentin me "Benzin" që guxoi të hynte në Presidencë. Qëllimi i hyrjes së tyre në pallat dhe veprimet që mund të kryenin paskëtaj, ishin qendra e pyetjeve ku u përqendruan hetuesit. Sakaq kanë nisur hetimet dhe janë kryer shoqërimet e para të ushtarëve dhe rojeve të Pallatit të Brigadave, që kanë lejuar depërtimin e autoveturës së panjohur deri te dera e Alfred Moisiut. Priten që të merren masa ekstreme ndaj përgjegjësve të këtij incidenti, që mund të kishte marrë përmasa të pakëndshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›