E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen gjahtarët e Mercedesëve

25/01/2005  

Fier

FIER – Tre persona janë vënë në pranga dje nga policia e Fierit, pasi dyshohet të jenë pjesëtarë të një grupi që vidhte makina të tipit “Benz”. Tre të arrestuarit mësohet se janë nga Vlora, por burimet zyrtare të policisë nuk kanë dhënë shumë detaje pas aksionit të kryer, rreth identitetit të tyre, pasi dyshimet janë se pas 3 të prangosurve të djeshëm fshihen dhe persona të tjerë, për të cilët po hetohet. Po sipas të njëjtave burime mësohet se të arrestuarit janë që të gjithë nga qyteti i Vlorës. Në krye të aksionit për kapjen e tyre ka qenë shefi i komisariatit të Fierit, Naun Doko, i cili për gazetën pohon se "zbulimi i tyre ka qenë i rastësishëm, pavarësisht se për kapjen e tyre kishte kohë që po punohej si nga komisariati ynë ashtu edhe ai i Vlorës”.

Grabitësit kanë rënë në grackën e policisë në qytetin e Ballshit, ku edhe po bënin shitjen e radhës së një makine tip “Benz”, e cila ishte e vjedhur. Shefi i komisariatit të Fierit, Doko, pohon se u njoftuan mbi këtë automjet të vjedhur nga burimet e tyre operative. Grabitësit e kishin çuar në qytetin e Ballshit për ta shitur makinën, pa i ndryshuar asgjë në lidhje me identifikimin e saj, as targat, as ngjyrën, as numrin e shasisë. Menjëherë pas këtij njoftimi u bë një plan aksioni, që çoi në arrestimin e të tre shtetasve grabitës, të cilët ishin që të gjithë nga qyteti i Vlorës, të moshës 22-25 vjeç. Sipas informacionit të marrë nga Doko, mësohet me rezerva se grupi i grabitësave kishin informatorë në Fier, me të cilët organizonin vjedhjet e herëpashershme dhe mjetet e vjedhura, kryesisht "Benz"-a, i çonin në Vlorë dhe që prej aty i shisnin ku të mundnin. Ndërsa burime të tjera jozyrtare bëjnë të ditur se shpesh makinat e vjedhura çoheshin në një ofiçinë në Radhimë të Vlorës, ku bëhej çmontimi i makinave të vjedhura dhe shitja e tyre pjesë-pjesë. Shefi i komisariatit të Fierit, Doko, pohon për gazetën “Metropol”, se pas kapjes së tre shtetasve në bashkëpunim me komisariatin e Vlorës, do të hetohet në lidhje me pjesëtarë të tjerë të grupit dhe shtrirjen e tij në qytete të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›