E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI dhe LZHK mbesin jashtë drejtimit të komisioneve

25/01/2005  Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar nuk do të kenë të drejtën e kryesimit të komisioneve parlamentare. Sipas deklaratës së dhënë nga kreu i Kuvendit, nga tetë komisione, 6 do të drejtohen nga Partia Socialiste, ndërsa 2 do të drejtohen nga partia më e madhe e opozitës. Për këtë vendim, Pëllumbi theksoi se është mbështetur në konsultimet paraprake që ka bërë me kryetarët e Grupeve parlamentare aktuale. Ndërsa ka theksuar se rregullorja e përcakton qartë këtë vendim. Por përfaqësuesit e LZHK-së dhe të LSI-së e kanë cilësuar të padrejtë, pasi, sipas tyre, rregullorja përcakton qartë se të tetë komisionet parlamentare duhet të drejtohen nga Grupet parlamentare, në bazë të përqindjes që ato kanë në Kuvend dhe jo vetëm nga socialistët dhe demokratët.

Debati

Kryetari i Grupit parlamentar të LZHK-së është shprehur se rregullorja përcakton qartë, se PS duhet të ketë drejtimin e vetëm 4 komisioneve, pasi me votat që ka në Kuvend zotëron 50 për qind të deputetëve. "Pra, duhet të marrë vetëm 50 për qind të drejtimit të komisioneve, dmth., nga 8 ka të drejtën e kryesimit në 4 të tillë. Ndërsa PD, në bazë të përqindjes që ka në Kuvend, ka të drejtën që të drejtojë vetëm 2 komisione parlamentare", tha Begeja. Ai është shprehur se LSI-ja dhe LZHK-ja, si grupet e treta dhe të katërta në Kuvend, kanë të drejtën e kryesimit të një komisioni. Këtë arsyetim e ka mbështetur dhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, i cili ka theksuar se PS dhe PD janë duke vijuar bashkëpunimin e tyre në dëm të forcave të tjera parlamentare. Madje, Brokaj është shprehur se kryeparlamentari duhet të kishte zhvilluar dhe një takim me konferencën e kryetarëve dhe më pas të deklaronte se cila parti do të kishte të drejtën e kryesimit të një komisioni. Sipas kreut të LSI-së, konferenca e kryetarëve nuk është mbledhur ende për këtë vit. Por, Kryetari i Kuvendit, Pëllumbi, është shprehur se pas konsultimeve me juristët, si dhe nga diskutimet paraprake me kryetarët e Grupeve, është arritur në këtë konkludim, ndaj nuk ka asnjë shkelje të rregullores së parlamentit.

Grupet

Gjatë seancës së zhvilluar dje nuk është arritur ende në formulën e përbërjes së grupeve parlamentare. Kryetari i Kuvendit ka deklaruar me nisjen e seancës se ka mbërritur një amendament, që përcakton se Grupet parlamentare duhet të përbëhen minimalisht nga 5 deputetë dhe jo nga shtatë. Pas kësaj, kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka kërkuar shtyrjen e diskutimeve, pasi duhet të diskutojë me deputetët, mbi këtë propozim. Madje, ai ka lënë të nënkuptohet se amendamenti mund të pranohet. Si rrjedhojë e rritjes së numrit minimal për përbërjen e grupeve parlamentare, në Kuvend janë paraqitur vetëm 7 të tillë, ndërsa 6 deputetë janë deklaruar të pavarur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›