E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaferri: Nuk ka koalicion me PD

25/01/2005  Menjëherë pas përfundimeve të mbledhjes së Këshillit Kombëtar, reformatorët e Pollos kanë dalë me një rezolutë, ku deklarojnë se do të dalin në zgjedhje të vetëm. Deklarata ka ardhur befasuese për vetë faktin se, vetëm një ditë më parë, Genc Pollo, kryetari i PDR-së, ishte deklaruar pro një koalicioni me PD-në. "PDR-ja do të konkurrojë e vetme në 100 zonat elektorale", thuhet në një nga pikat e rezolutës së miratuar në Këshillin Kombëtar të PDR-së. Lidhur me këtë tërheqje të papritur të reformatorëve nga një koalicion i mundshëm, sekretari i Përgjithshëm i PDR-së, Ferdinant Xhaferri, tha se, "PDR-ja është e bindur se duhet një rotacion politik, por kjo duhet të bëhet në të mirë të qytetarëve dhe jo të shihet si zgjedhje e së keqes më të vogël". Nga ana tjetër, Xhaferri u shpreh se PD-ja është ajo që nuk ka një qëndrim të qartë për sa u përket koalicioneve dhe deklaratat për bashkëpunim me reformatorët apo partitë e djathta po i bën vetëm për fasadë. "Unë theksoj se PD-ja që është forca kryesore e opozitës duhet të jetë më e kthjellët dhe më e qartë. Të mos jetë dhe kundër Nanos, dhe pro tij", tha Xhaferri. Por, duket se nuk është plotësisht dakord me këtë lëvizje të partisë së tij kryetari i Grupit parlamentar të PDR-së, Nard Ndoka. Sipas tij, ende nuk janë mbyllur dyert e bashkëpunimit me PD-në, pasi dihet që ajo është forca kryesore e opozitës dhe, në rast se duhet një rotacion i pushtetit, kjo nuk mund të bëhet pa PD-në. "Nuk është e vërtetë që ne i kemi mbyllur të gjitha shtigjet e bashkëpunimit me PD-në. Ne kërkojmë që ajo të jetë më e qartë në vendimet e veta për koalicion. Natyrisht në rast se shohim një rotacion të pushtetit, kjo nuk mund të mendohet se do të bëhet pa forcën më të madhe të opozitës", tha Ndoka. Vetëm një ditë më parë, partia më e madhe e opozitës dha sinjale pozitive për një koalicion me PDR-në përpara zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë ishte dhe Pollo gjatë fjalës së tij, kur kërkoi një bashkim të forcave opozitare, por, me sa duket, gjatë 24 orëve reformatorët kanë ndryshuar mendje, duke preferuar që të dalin të vetëm në zgjedhje

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›