Beograd: Kryeprokurori i Hagës u takua me prokurorët serbë

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, Serge Brammertz, është takuar sot në Beograd me zyrtarët e Prokurorisë për Krime të Luftës në Serbi, ka deklaruar zëvendësprokurori, Bruno Vekariq.
Vekariq tha se Brammertz po qëndron në Serbi në kuadër të përgatitjeve për hartimin e raportit 6 mujor të punës së Tribunalit për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Në mbledhje nuk ka pasur tema dramatike, kryesisht kemi biseduar lidhur me atë se si në mënyrë më efikase mund të zhvillohen proceset për krime në rajon, ndërsa e kemi përshëndetur protokollin për dhënien e provave me Bosnjë Hercegovinën”, tha Vekariq, raporton agjencia Beta.
Ai ka njoftuar se është biseduar edhe për samitin e ardhshëm në Brione të Kroacisë, me ç’rast Brammertz do të takohet me kryeprokurorët e rajonit.
Brammertz do të qëndroj edhe nesër në Serbi./Indeksonline/