Berisha: Bën thirrje për mbështetje

Kryeministri Sali Berisha u ndal për të inspektuar ndërtimin e e rrugës Ura Vajgurore-Pashalli-Bistrovicë, nga ku u angazhua për investime të tjera.
Gjatë fjalës së tij para banorëve të zonës ai nënvizoi se është i vetëdijshëm se në Shqipëri ka rrugë e fshatra që presin për tu asfaltuar, duke u zotuar se në katër vitet që vijnë do asfaltohet, ndërtohet dhe rindërtohet, çdo kilometër rrugë në mbarë Shqipërinë.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se punësimi dhe rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë objektivi i qeverisë në katër vitet e ardhshme, shkruan noa.
“Ne po shkojnë drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Në njërën anë keni pasqyrën e atyre rezultateve që sot i prek çdo njeri, pasqyrën e një realiteti që nuk ekzistonte 4 vite më parë që bëri të mundur që ju të lëvizni në mbarë Europën pa viza, një realitet i cili bëri të mundur që në tetorin e vitit 2012 Këshilli i Europës të rekomandojë statusin e vendit kandidat pasi vlerësoi reformat e bëra, me kushte që Shqipëria të votojë tre ligjet. Asokohe dhe në asnjë kohë, asnjë mendje e shëndoshë dhe asnjë shqiptar dhe asnjë që i beson ëndrrës evropiane, nuk mund të imagjinonte se me këto 3 ligje po mbahej peng statusi, se duke mbajtur peng statusi do i privoheshin Shqipërisë qindra milionë euro investime, do privonin të rinjtë shqiptarë të aplikonin në universitetet e vendeve anëtare me të drejta të njëjta, do privonin emigrantët të që tu njiheshin vitet e pensionit që u rëndojnë mbi kurriz”, deklaroi Berisha.
Në këtë linjë ai tha se mbi interesin e shqipatrëve doli interesi personal politik, mendimi se duke penguar statusin do dëmtohej më shumë qeveria.
Kryeministri deklaroi se ditët e fundit Edi Rama me zëdhënësit e tij bënë thirrje që të votojë ligjet, por pavarësisht kësaj në seancën parlamentare të së hënës të gjithë deputetët e opozitës braktisën sallën.
Berisha nënvizoi se pavarësisht se vendi është në prag të zgjedhjeve dhe në fushatë, për hir të tre ligjeve që kushtëzojnë integrimin Parlamenti do mblidhet çdo javë.
Ndër të tjera kreu i mazhorancës theksoi se, “23 qershori po vjen, unë ju ftoj që ta shndërrojmë këtë fushatë në betejën tonë më të qytetëruar. Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj, kam nevojë të madhe të vazhdojmë ndryshimin, ne në këtë garë u kemi sjellë dhe do u sjellim kandidatët më të shkëlqyer. Por përveç listës kemi listën e veprave që paraqesim te secili dhe jo vetëm listën e veprave që kemi realizuar së bashku por edhe atë të atyre që do zhvillojmë në 4 vitet që vijnë. Të ecim të sigurtë drejt 23 qershorit, datës së madhe të demokracisë, të votojmë për PD, koalicionin për punësim, mirëqenie dhe integrim si e ardhmja më e sigurtë dhe më e shkëlqyer europiane”./Indeksonline/