Beograd, dënohen 4 serb për vrasjen e 14 shqiptarëve në Kosovë
Katër ish-anëtarë të një grupi paramilitar famëkeq serb u shpallën sot fajtorë për vrasjen e 14 civilëve shqiptarë në Kosovë, ndër to fëmijë dhe të moshuar, në vitin 1999, dhe u dënuan nga 15 deri në 20 vjet burg, ose 75 vjet burg gjithësej. Katër të akuzuarit u shpallën fajtorë për masakrën në qytetin verior të Podujevës, një nga barbarizmat më brutale gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, ku të paktën 10,000 persona humbën jetën të masakruar nga njësitë kriminale ushtarake dhe paraushtarake të ish-presidentit Sllobodan Millosheviç. Më shumë se 800,000 kosovarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë konfliktit. Masakra e Podujevës ndodhi në fillim të fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, që synonte ndalimin e dhunës dhe barbarizmave të makinës ushtarako-policore të Millosheviçit. Gjykata serbe për Krimet e Luftës dënoi sot tre ish-pjesëtarë të njësitit famëkeq "Skorpionët" me nga 20 vjet burg secili dhe një i katërt u dënua me 15 vjet burg. Gjatë procesit gjyqësor, që nisi vitin e kaluar, të mbijetuarit nga kjo masakër përshkruan se si pjesëtarët e njësitit "Skorpionët" vendosën përpara murit 19 shqiptarë për t'u ekzekutuar më pas me breshëri të mitralozëve. Një ish-pjesëtar i njësitit famëkeq, i cili dëshmoi në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, tregoi detaje rrënqethëse se si shokët e tij të armëve ekzekutuan civilët e pafajshëm duke hapur zjarr pa mëshirë. Vetëm pesë fëmijë të moshës nga 4 deri në 16 vjeç i shpëtuan masakrës edhe pse ishin plagosur rëndë. Të katër personat e akuzuar ishin arrestuar në vitin 2007. Një ish-pjesëtar tjetër i njësitit "Skorpionët" është dënuar më parë me 20 vjet burg lidhur me të njëjtën ngjarje. "Skorpionët" tërhoqën vëmendjen e publikut për krimet e tyre pas transmetimit në vitin 2007 të një videoje shokuese, ku shfaqej ekzekutimi mizor i gjashtë myslimanëve të Bosnjës nga Srebrenica në vitin 1995. Kjo video amatore ishte transmetuar fillimisht në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.