Beograd, takim me Prishtinën për 1870 të zhdukurit
Blerina Olldashi
Grupi Punues për Personat e Pagjetur, i përbërë nga delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, do të takohen sot në Beograd për zbardhjen e fatit të 1870 personave që rezultojnë të zhdukur.
Ky takim i mbyllur do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Përfaqësuesi i delegacionit nga Prishtina, Prenk Gjetaj thekson se pala kosovare do t’i shtojë kërkesat për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, duke u bazuar në informacione të reja. “Në radhë të parë, ne do të prezantojmë strategjinë tonë për vitin 2010 rreth çështjes së punës së mëtejshme për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur. Do të shkëmbejmë informacione dhe do të bëjmë kërkesa duke u mbështetur në disa informacione shtesë. Do të shikojmë edhe kërkesat e palës së Beogradit në këtë drejtim”, thotë zoti Gjetaj. Ai shton se delegacioni nga Prishtina do të aktualizojë çështjen e Rudnicës, ku ishte gërmuar në vitin 2007, nën dyshimin se aty ekzistonte varrezë masive. Sipas Gjetajt, dyshohet se është gabuar lokacioni dhe tashmë ekzistojnë informacione shtesë, të cilat do t’i prezantohen delegacionit të Beogradit, me kërkesën që të punohet në këtë drejtim. Në anën tjetër, familjarët e personave të pagjetur, shqiptarë dhe serbë, thonë se me gjithë punën e bërë për zbardhjen e fatit të këtyre personave, ka mundur të bëhet shumë më tepër. Nesrete Kumnova, drejtuese e shoqatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, e cila e ka ende të pagjetur të birin, Albionin, ka kërkuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq që të bëjë presion ndaj grupit punues për personat e pagjetur, për një angazhim më të madh. “Informacionet ekzistojnë te pala serbe, për secilin person, me emër e mbiemër, se ku janë dhe të zbardhet fati i tyre një herë e përgjithmonë”, shprehet zonja Kumnova. Këta familjarë apelojnë te Grupi Punues për Personat e Pagjetur dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që të jenë më të angazhuar për zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre. “Unë do të jap porosi si nënë, e cila po vuan me gjithë qenien shpirtërore për djalin e vetëm, Albionin, që ende më mungon. Por, edhe si shoqatë ‘Thirrjet e nënave’ i apeloj organizatës së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar që gjithsesi t’i bëjë presion palës serbe që t’i japë informacionet për më të dashurit tanë se ku ngelën deri më sot”, thotë Nesrete Kumnova.
Ndërkaq, Gjetaj i quan të arsyeshme kërkesat e familjarëve të personave të pagjetur. “Kjo kërkesë dhe ky presion janë të arsyeshme, nga cilado palë qoftë, sepse të pagjeturit kanë një përkatësi, në cilindo kuptim që ta marrësh. Në këtë drejtim, tani për tani, ky takim është i karakterit të mbyllur. Takimi i radhës do të jetë takim i hapur, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të familjeve të personave të pagjetur dhe të shoqatave”, sqaron
Kroaci
Josipoviç merr postin e presidentit
Gjashtë javë pas fitores në zgjedhjet presidenciale në Kroaci, socialdemokrati Ivo Josipoviç dha dje betimin si President i tretë me radhë. “Unë do të angazhohem pa kompromis për vlerat demokratike, një shoqëri me të drejta sociale dhe një anëtarsëim të shpejtë të vendit në BE”, tha Presidenti. Në ceremoninë e inagurimit morën pjesë dhjetë kryetarë shtetesh nga rajoni dhe Europa e Mesme, në mesin e tyre edhe Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dhe ai i Kosovës Fatmir Sejdiu, shumë përfaqëues të organizatave ndërkombëtare, udhëheqja e shtetit kroat dhe përfaqësuesit e jetës politike, fetare dhe shoqërore në vend.
19 Shkurt 2010