Viti i ri shkollor, Tafaj bën publike ndryshimet në skemën e shitjes së librave
Jonida Tashi
Vitin e ri shkollor asnjë tekst nuk do të shitet më në librari, por në shkolla. Lajmi është bërë i ditur dje nga vetë kreu i Ministrisë së Arsimit, Myqerem Tafaj, i cili ka publikuar ndryshimet që janë ndërmarrë këtë vit në procesin e përgatitjes, botimit, përzgjedhjes dhe dërgimit të librit shkollor, për vitin mësimor 2010-2011. Sipas ministrit Tafaj, ndryshimet dhe përmirësimet kryesore në paketën informuese “ALTERTEKST 2010-2011”, do të vërehen së pari në procesin e shpërndarjes së librit, i cili këtë vit, do të shitet direkt në shkollë. Për këtë proces, shkollat do të vënë në dispozicion mjedise për të gjithë botuesit që kanë fituar të drejtën e çuarjes së librit në atë shkollë mbi bazën e përzgjedhjes. Kjo mënyrë e shitjes së teksteve do të eliminojë radhët e gjata dhe do të sigurojë një mbikëqyrje të drejtpërdrejtë nga drejtoria e shkollës për librat që shiten.
Shitja
“Kjo është çështje krejtësisht e botuesit, e cila kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet, pasi vetë botuesit do ta çojnë librin në shkollë, por drejtoria e shkollës ka mundësinë të mbikëqyrë direkt procesin brenda saj”,- theksoi Tafaj. Një pikë tjetër jo pak e debatueshme nga prindërit për tekstet e fëmijëve të tyre ka qenë edhe blerja veçmas e fletoreve të punës. Për tekstet që shoqërohen me fletore pune ose libër ushtrimesh, kreu i Arsimit ka vendosur që gjatë vitit të ardhshëm shkollor, do të përdoret modeli i paketës. Kjo do të thotë që teksti do të vlerësohet së bashku me fletoren ose librin e ushtrimeve dhe do të dërgohet në shkollë për shitje vetëm në këtë formë. “Në shkollat tona, në vitin 2010-2011 nuk do të hyjë asnjë libër i pacertifikuar. Kjo do të bëjë që të ulet shpenzimi i madh që bënin familjet shqiptare për fletoret dhe librat e ushtrimeve që shiteshin në një mënyrë abuzive në shkolla”,– sqaroi ministri i Arsimit.
Subvencionimi
Subvencionimi i teksteve shkollore gjatë vitit të ardhshëm mësimorë do të jetë i diferencuar sipas kategorive të ndryshme të nxënësve. Ministri i Arsimit ka shpjeguar se masa e rimbursimit të teksteve për këtë vit do të jetë 100 për qind për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike, 50 për qind për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë, dhe për nxënësit e minoriteteve librat do të jenë falas. Një risi tjetër në paketën informuese “ALTERTEKST 2010-2011” do të jetë edhe shpallja për herë të parë e tre teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare”, një libër për ciklin e ulët nga klasa I-V, një për ciklin e lartë të shkollës 9-vjeçare nga klasa e VI-IX dhe një libër i tretë për shkollën e mesme. Sipas ministrit të Arsimit, modeli i teksteve alternative, i njohur ndryshe si ALTERTEKST-i, është një praktikë shumë e mirë, që përmbush kërkesat për cilësi të lartë të teksteve dhe që nxit zhvillimin e sektorit privat të librit. Më tej, ministri Tafaj, shpjegoi edhe procedurat e vlerësimit të autorëve. Këtë vit, për herë të parë, çdo shtëpi botuese, do ta dërgojë librin në komision me dy recenca anonime që nuk kanë emër, të cilat duhet të jenë nga dy personalitete të njohur në fushë që japin një vlerësim për tekstin që paraqitet në konkurrim.
Subvencionimi i librave
100 për qind për nxënësit e familjeve që marrin ndihmë ekonomike
50 për qind për nxënësit, kryefamiljarët e të cilëve kanë një pagë mujore nën 30 mijë lekë
Ndryshimet e paketës “ALTERTEKS 2010-2011”
Kushte të barabarta konkurrimi për të gjithë aktorët e tregut të librit shkollor
Transparencë në procedurat e vlerësimit të teksteve, sidomos të autorit apo të grupit të autorëve
Cilësi më të lartë të botimit dhe tregtimit të librit
Kompensim përmes rimbursimit të nxënësve që vijnë nga familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike dhe kategori të ulëta të pagës
Botimin për herë të parë nëpërmjet konkurrimit të teksteve për fëmijët e emigrantëve shqiptarë
Kërkesa për tekste shkollore për vitin 2010-2011
Për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, për vitin shkollor 2010-2011, do të shpallet konkurrimi:
Për tekstet e klasës XI
Për metoda origjinale të gjuhëve të huaja të klasave III-XII
Për tekste të tabelës “Specifikimet teknike të teksteve të kërkuara” për vitin shkollor 2010-2011
Për tekstet Gjuhë shqipe klasa IX , Informatikë klasa IX, Histori klasa XII
Për vitin shkollor 2011-2012
Për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, për vitin shkollor 2011-2012, do të shpallet konkurrimi për:
Tekste të klasës XII
Tekste për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vende të huaja
Tekste të tabelës “Specifikimet teknike të teksteve të kërkuara” për vitin shkollor 2010-2011
Tekste të lëndëve: Kimi, Fizikë, Biologji dhe Shkencë e tokës, të klasës X
Tekste të shtojcës së këtij “Alterteksti”
Datat e shpalljes së fillimit të konkurrimit
Viti shkollor 2010-2011 shkurt 2010
Viti shkollor 2011-2012 mars 2010
Datat e dorëzimit të teksteve shkollore
Për vitin shkollor 2010-2011
Dorëzimi i teksteve 3-4 maj 2010
Ngritja e Komisioneve të Vlerësimit të Teksteve (KVT) 7 maj 2010
Vlerësimi i teksteve nga KVT-të 10-15 maj 2010
Shpallja e fituesve 20 maj 2010
Dhënia e lejes së certifikimit 30 maj 2010
Dërgimi i teksteve për përzgjedhje 31 maj-10 qershor 2010
Përzgjedhja e teksteve në shkolla 15 maj-20 qershor 2010
Porositja e teksteve 26-30 qershor 2010
Lidhja e kontratës 10-30 qershor 2010
Shpërndarja e teksteve nga shtëpitë botuese në DAR/ZA 1-31 gusht 2010
Marrja dhe shitja e librit në shkolla 25 gusht-15 shtator 2010
19 Shkurt 2010