Masakron me thikë në bark të riun, vihet në pranga autori
DURRËS – Qyteti bregdetar tronditet nga një ngjarje e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme. Një 21-vjeçar është duke luftuar me jetën në spital për shkak të goditjeve të shumta me thikë që ka marrë në trup. Policia e Durrësit, vetëm disa orë pas ngjarjes, ka arritur të vërë në pranga 20-vjeçarin Andi Dalipaj, si autori i ngjarjes së rëndë.
Gjithçka ka ndodhur në Lagjen Nr. 14 të qytetit të Durrësit. I riu 20-vjeçar Andi Dalipaj, rreth orës 18:30 të mbrëmjes së djeshme është gjendur në zonën para plazhit “Teuta” dhe i ka kërkuar 21-vjeçarit Z. P. që me makinën që kishte ta transportonte si pasagjer nga Ura e Dajlanit në Lagjen 14 të qytetit bregdetar. Z. P. e kishte makinën të markës “Benz” me targa DR 5732 A, të babait të tij, megjithatë, ka pranuar të bëjë taksistin për Andi Dalipajn dhe ka nisur rrugën. Kur kanë kaluar rreth 15 minuta nga nisja, në rrethana krejt të papritura, Andi Dalipaj i është vërsulur 20-vjeçarit me një thikë që nxori nga brenda xhupit dhe e ka qëlluar me dhjetëra herë në bark duke e larë më gjak makinën. Pasi ka arritur të ndalonte makinën që drejtonte 20-vjeçari, e ka marrë dhe ashtu të gjakosur ngado, e ka nxjerrë nga makina dhe e ka hedhur në mes të rrugës. Pas kësaj ai ka hipur në vendin e shoferit dhe është larguar me makinën e viktimës së tij. Policia, e alarmuar për këtë ngjarje, ka kryer hetime intensive dhe tha se ka arritur të gjejë makinën e grabitur, thikën me të cilën u krye masakra dhe të vërë në pranga autorin e krimit. Pas arrestimit të Dalipajt grupi hetimor ka nisur menjëherë punën për të mbledhur të dhënat lidhur me shkaqet që e shtynë Dalipajn të godiste disa herë më thikë të riun. Pritet që autori i krimit të merret në pyetje, nga ku uniformat blu shpresojnë të mbledhin të dhëna të mjaftueshme për zbardhjen e ngjarjes. Burime pranë Spitalit të Durrësit bëjnë të ditur se gjendja e 20-vjeçarit është kritike për jetën për shkak të plagëve serioze që ai ka marrë nga goditjet e panumërta me thikë.
19 Shkurt 2010