Obama takohet me udhëheqësin tibetian Dalai Lama
Presidenti amerikan Barak Obama u takua në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama. Takimi u zhvillua në kohën kur raportet amerikano-kineze janë acaruar. Kina ka kundërshtuar shitjen e armëve Tajvanit nga ana e Uashingtonit si dhe i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë ta anullojë takimin me Dalai Lamën. Për këtë arsye Obama ka vendosur që takimi të konsiderohet si jozyrtar, në mënyrë që Kina të mos ndihet e kërcënuar. Uashingtoni nga ana tjetër ka kritikuar Pekinin për politikat tregtare dhe monetare. Kina është përplasur së fundi dhe me gjigantin e internetit, kompaninë amerikane Google.
Afganistan
Forcat e NATO-s vrasin gabimisht 7 policë afganë
Zyrtarë qeveritarë dhe mjekësorë në Afganistan, thonë se nga sulmi ajror i NATO-s gabimisht janë vrarë shtatë policë afganë dhe janë plagosur dy të tjerë, në pjesën veriore të këtij vendi. Forca Ndihmëse Ndërkombëtare e Sigurisë e udhëhequr nga NATO-ja, e ka konfirmuar “incidentin”, por një zëdhënës tha se aleanca “ende po heton se çka ka ndodhur” në provincën Kunduz, ku talibanët aktualisht janë aktivë. Zëdhënësi i ministrisë së brendshme të Afganistanit, Zemarai Bashari, tha se forcat afgane ishin bombarduar gabimisht, pasi kishin ftuar që NATO-ja të sulmonte nga ajri kundër sulmuesve talibanë në vendin Imam Sahib.
19 Shkurt 2010