E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbehet foshnja e porsalindur e çiftit shqiptar, pranga grekes mashtruese



Thimi SAMARXHIU
ATHINË – Kishte frikë se mos ndahej nga bashkëshorti dhe rrëmben një foshnjë në maternitet. Familjes Shquti ende nuk i ishte shuar entuziazmi për lindjen e vajzës së tyre kur morën vesh lajmin se ajo ishte rrëmbyer në ambientet e maternitetit “Elena Venizelu” në Athinë. Ngjarja i shokoi prindërit e foshnjës së sapolindur, Agron dhe Brunilda Shquti, të cilët vunë menjëherë alarmin për këtë ngjarje, duke kërkuar ndërhyrjen e shpejtë të Policisë së Athinës për gjetjen sa më shpejt të vajzës së tyre. Uniformat blu të Athinës nisën menjëherë operacionin për gjetjen e foshnjës dhe vetëm disa orë më pas arritën ta gjenin dhe të prangosnin gruan që e kishte rrëmbyer.

Ngjarja
Bebja e sapolindur u rrëmbye nga materniteti "Elena" në Athinë rreth orës 04:00. Pak orë pas ngjarjes, ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli, konfirmoi për mediat lajmin se çiftit shqiptar Agron dhe Brunilda Shquti, nga Lezha, me banim në Athinë, iu grabit në maternitet bebja vajzë e sapolindur. Në momentin e rrëmbimit foshnja ka qenë në dhomën e nënës, në një shtrat të vogël vendosur pranë shtratit të prindit. “Nëna flinte gjumë në momentin që ndodhi rrëmbimi në dhomën e saj. Nëna pohon se i ka dëgjuar hapat e rrëmbyesit dhe në atë moment është zgjuar dhe ka parë që pranë krevatit të saj mungonte bebja. Ajo ka vënë alarmin duke bërtitur, por grabitësi është larguar shpejt”, - tregon Minarolli. Spitali u vu nën alarm dhe në kërkimin e bebes shqiptare. Mjekët dhe infermierët mbyllën për momentin dyert e godinës dhe nisën kontrollin në ndërtesë. Pas disa orësh nga grabitja fëmija u gjet në banesën e një gruaje. Bebja iu kthye me një patrullë policie nënës shqiptare, Brunilda Shquti.

Arsyet e rrëmbimit

Prej tre muajsh 38-vjeçarja me profesion ekonomiste po përgatitej të rrëmbente një fëmijë. Sipas policisë, zonja në fjalë ishte shtatzënë, mirëpo në muajin e gjashtë e abortoi fëmijën. Nuk i tregoi asgjë bashkëshortit të saj, me të cilin ka një vajzë 4 vjeçe, ndërsa me martesën e saj të parë kishte një djalë 10 vjeç, i cili jeton me babanë e tij. Prej tre muajsh po përgatitej të grabiste një fëmijë pasi kishte frikë se, nëse bashkëshorti i saj mësonte që ajo dështoi, mund ta braktiste. Kështu, dje, në orën 4:00 të mëngjesit, veshi një bluzë të gjerë, hyri në maternitetin “Elena” dhe u drejtua për te dhoma ku ishte fëmija. Hyri brenda, mori fëmijën, e fshehu poshtë bluzës dhe doli jashtë duke marrë një taksi dhe u drejtua për në rrugën “Dhoridhos 3” në Agjio Spiridhona në Egaleo. 38-vjeçaria, mbrëmjen e së mërkurës kishte shkuar në spitalin “Elena” dhe ishte regjistruar si e shtruar aty për të mos dyshuar njeri. Pas ngjarjes së mëngjesit doktori që e kishte vizituar dyshoi dhe dha të dhënat e saj në polici duke lehtësuar në maksimum punën e uniformave blu. Mjeku dyshoi nga fakti se si një femër i thoshte që ishte shtatzënë, ndërsa ai e pa nga EKO-ja se nuk ishte e vërtetë diçka e tillë. Pas publikimit të lajmit në media, një komshi e 38-vjeçares e pa të hynte kjo në shtëpi me një fëmijë dhe informoi menjëherë policinë. Policia shkoi dhe e arrestoi menjëherë.
Lumi rrëmben 17-vjeçarin, policia në kërkim të trupit
TEPELENË – Dolën për të prerë dru në pyll, por njërin e merr lumi, ndërsa tjetri kthehet me këmbë të thyer. Ka qenë një telefonatë nga një banor i fshatit Peshtan të Tepelenës, e cila ka lajmëruar forcat e policisë se në lumin e Zagories, që kalon poshtë këtij fshati, është mbytur një djalë rreth 17 vjeç. Grupi hetimor që mbërriti menjëherë në vendngjarje konstatoi se në vendin e quajtur “Monikë” në anën e lumit, dy banorë të këtij fshati kishin shkuar për të prerë dru dhe se njërin prej tyre e ka marrë rrjedha e ujit, ndërsa tjetrit i ka thyer këmbën. Mësohet se ata janë Kristo Gjoka, 17 vjeç, si dhe Edmond Malaj, 46 vjeç, të cilët kanë shkuar në anën e lumit Zagorie dhe me një motosharrë kanë prerë një pemë rrap për ta hedhur në lumë me qëllim t’i ndryshonin rrjedhën atij, pasi donin të kalonin bagëtitë e trasha për t’i kullotur në anën tjetër. Por Gjoka, në momentin që rrapi ka rënë, ka rrëshqitur bashkë me pemën, duke rënë në lumë, ku rrjedha e ka marrë dhe s’ka mundur dot të dalë. Ndërsa Edmond Malajn e ka zënë fundi i rrapit në këmbë duke i thyer këmbën, e më pas, nëpërmjet telefonit celular, ka kërkuar ndihmën e njerëzve të tij, të cilët kanë shkuar dhe e kanë nxjerrë duke e transportuar për në Spitalin e Gjirokastrës ku është shtruar për të marrë ndihmën mjekësore. Nga ana e forcave të policisë, së bashku me banorët, janë kryer kërkime në gjatësinë e rrjedhës së lumit deri në orët e vona të natës për të gjetur trupin e 17-vjeçarit, por ende nuk ka rezultate konkrete.

Mban padrejtësisht nipërit, ndiqet penalisht 65-vjeçari

DURRËS – Mori nipërit e tij pa lejen e nënës së tyre, ndiqet penalisht 65-vjeçari. Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se pas kallëzimit të bërë nga 27-vjeçarja L. K., së cilës i kishte vdekur bashkëshorti, ka nisur procedimin penal për vjehrrin e saj, 65-vjeçarin I. K. Sipas kallëzimit të bërë prej saj mësohet më datë 01.09.2008 i ka vdekur aksidentalisht bashkëshorti i saj dhe se nga ajo kohë e në vazhdim ka pasur probleme me ish-vjehrrin e saj, shtetasin I. K., i cili i mban forcërisht dy fëmijët e saj të mitur: djali i datëlindjes 13.06.2009 dhe vajza e datëlindjes 18.01.2005 dhe nuk e lejon t’i takojë ata.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›