E Diel, 1 Nëntor 2026

Dubai akuzon “Mossad”-in izraelit për vrasjen e kreut të Hamasit



Për vrasjen e kreut të Hamasit, Mahmoud al-Mabhouh është përgjegjës shërbimi sekret izraelit. Kjo ka qenë akuza e kreut të policisë së Dubait lidhur me ngjarjen e ndodhur muajin e kaluar.
Ambasadori izraelit në Mbretërinë e Bashkuar, Ron Prosor, dha dje sqarime në Foreign Office të Londrës për vrasjen e al-Mabhouh, të kryer nga komando me pasaporta britanike dhe irlandeze false. Një zëdhënës britanik tha se mashtrimi me pasaportat britanike ishte një çështje shumë serioze dhe ishte urdhëruar kryerja e një hetimi të plotë. Izraeli megjithatë thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për ta akuzuar se është i përfshirë në këtë vrasje.
Zyrtari i lartë i grupit militant palestinez thuhet se u vra nga një grup prej 10 burrash dhe një gruaje, muajin e kaluar në Dubai. Sipas autoriteteve të atjeshme vrasësit përdorën pasaporta të modifikuara britanike, franceze, irlandeze dhe gjermane.
Megjithatë, spekulimet kanë qënë të shumta se vrasja është kryer nga agjencia izraelite e zbulimit, Moassad. Bob Baer një ish-agjent i CIA-s thotë se është i sigurt se vrasja është vepër e Mossadit. “Është e qartë se e kanë bërë izraelitët. Ata kishin motivacionin. Mënyra e veprimit, përputhet me atë që kam ndjekur në të kaluarën. Nuk mund ta imagjinoj se kush tjetër mund ta ketë bërë këtë”,është shprehur Bob Baer. Megjithëse vetë Mossadi nuk komenton për ndonjë operacion, Yossi Melman, një ish agjent i shërbimit, thotë se agjencia nuk vepron pa marrë fillimisht një autorizim në nivelin politik. “Mossadi vepron në bazë të urdhërave të kabinetit dhe është nën komandën e kryeministrit. Mossad është një organizatë shumë e disiplinuar dhe ajo raporton tek kryeministri. Gati çdo javë zhvillohet një takim mes kreut të Mossadit dhe kryeministrit”, thotë Yossi Melman. Izraeli reagoi përmes ministrit të Jashtëm, Avigdor Liberman kundër akuzave.
“Nuk ka arsye të besojmë se ishte Mossadi izraelit dhe jo ndonjë shërbim tjetër sekret i ndonjë vendi tjetër, të predispozuar për të shkaktuar trazira”.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›