E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi: 2 shtete tërhoqën njohjen e pavarësisë, Kosova: Shpifje

PRISHTINE- Beteja diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen dhe mosnjohjen e sovranitetit vazhdon të jetë e fortë.

Të përditshmet beogradase përhapën sot paradite lajmin se shteti aziatik Oman dhe shteti afrikan Guinea- Bisau tërhoqën vendimin për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Pak orë më vonë erdhi dhe përgënjeshtrimi i qeverisë së Prishtinës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës mohoi lajmin dhe e quajti “propagandë të Beogradit.” Madje kjo ministri rikonfirmoi marrjen e notave verbale nga shtetet Guinea- Bisau e Sulltanati i Omanit, dhe thekson se pret edhe një seri të njohjeve të reja në javët në vazhdim.

REAGON JEREMIC
Më pas erdhi dhe reagimi i ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremiç, i cili konfirmoi se dy shtete kishin vendosur të tërheqin vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por nuk saktësoi se cilët vende ishin ato.
“Mund të konfirmoj se dy vende kanë komunikuar vendimin e tyre për të nisur procedurat për revokimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës”- i tha Jeremic agjencisë së lajmeve Tanjug. Por për ministrin nuk bëhej fjalë për shtetin e Omanit dhe Guinea-Bisaut, sic njoftoi gazeta serbe Blic, të cilët deri tani, sipas tij, nuk e kanë njohur kurrë Kosovën. Madje ai shtoi se është e mundur që një shtet tjetër të vendosë të revokojë pavarësinë e Prishtinës. Sipas tij bëhet fjalë për një shtet, pjesë e lëvizjes NAM (Non-Aligned Movement, janë një grup shetesh të cilat e konsiderojnë veten se formalisht nuk janë me ose kundër ndonjë blloku shtetesh të fuqishme) ku vazhdojnë hetimet mbi dyshimet për një episod korrupsioni që sheh si protagonist një drejtues të lartë shtetëror i cili dyshohet se ka marrë para nga një sipërmarrës i pasur shqiptar në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.“ Nëse kjo do të konfirmohet nga hetimet, edhe ai vend do të nisë procedurat e revokimit të njohjes së Kosovës”- deklaroi Jeremiç.

REAGON PACOLLI
Më pas erdhi dhe reagimi i zv.kryeministrit të parë të Qeverisë së Kosovës, Behxhet Pacolli i cili po zhvillon sot turneun e katërt lobues në Afrikë, në kuadër të angazhimit për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës. Përmes një njoftimi për shtyp të AKR,u bë e ditur se Pacolli kishte zhvilluar një bisede telefonike, rreth orës 15:30, me Presidentin e Guinea Bissau, Malam Bacai Sanhá, i cili i kishte rikonfirmuar se institucionet e Guinea Bissau e kanë proceduar deri në fund procesin e njohjes së Pavarësisë së Kosovës.
Pacolli vlerëson si “deklarata shpifëse dhe jodiplomatike të qarqeve serbe, të cilat nuk janë risi” ato cka shkruante shtypi beogradas.
“ Presidenti i Guinea-Bissau i cilësoi dezinformime spekulimet e mediave serbe për terheqje të njohjes nga Republika e Guinea Bissau. Ai tha se, vendi i tij e ka njohur Kosovën në përputhshmëri me vullnetin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Guinea Bissau. Ai ritheksoi të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi e sovranitet, duke vënë në dukje së këtë të drejtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.” - thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas Pacollit “fushata e spekulimeve dhe propagandës serbe kundër pavarësisë së Kosovës po rritet në vazhdimësi, duke parë se njohjet për Kosovën janë një proces i pandalshëm dhe legjitim.”
Guinea- Bissau e ka njohur Shtetin e Pavarur të Kosovës më 10 janar 2011, pas një angazhimi të gjatë lobues që Behgjet Pacolli kishte zhvilluar në këtë pjesë të botës, atëherë në cilësinë e Presidenit të Aleancës Kosova e Re.

Deri tani 81 vende, nga 192 shtete të OKB-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë që më 5- 6 shtator në Beograd u zhvillua një samit festiv të lëvizjes NAM në kuadër të 50 vjetorit të konferencës së parë të këtyre vendeve që u mbajt në 1961 në kryeqytetin serb

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›