E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Në veri nuk ka struktura paralele, por kriminale

PRISHTINE- Kryeministri, Hashim Thaçi ripërsëriti qëndrimin se strukturat ilegale serbe në veri nuk mund të sfidojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës, dhe se në këtë drejtim këto struktura do të përballen me organet përkatëse të drejtësisë. Lajmi transmetohet nga gazeta kosovare Express.

“Strukturat ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me drejtësinë. Atje nuk ka struktura paralele, por ka struktura kriminale, të cilat do të ballafaqohen me organet e drejtësisë dhe askush nuk mund të implementojë angazhimet tona për rend dhe ligj dhe për sistemin doganor e policor në pikat kufitare të shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.

Ai këto komente i bëri pas takimit me kryediplomatin grek, Stavros Lambrinidis. Gjatë takimit me ministrin grek, kryeministri Thaçi ka ftuar investitorët grekë për investime të reja në Kosovë. Greqia, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja janë vendet anëtare të BE-së që ende nuk kanë njohur shtetin e Kosovës.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›