Bush, një ceremoni trëndafilash për Shqipërinë
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, me një përkujdesje të veçantë zhvilloi një ceremoni të jashtëzakonshme në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë për të hedhur firmën e tij mbi atë që shqiptarët e kishin ëndërr. Anëtarësim në NATO. Kjo është firma që kanë pritur miliona jetë shqiptarësh dhe urimi është pak, falënderimi nuk mjafton. Emocionet e kësaj ceremonie janë përmbushje të një ëndrre që kishte shpërthyer rrugëve në dhjetorin e ’90-ës dhe tashmë pas 18 vitesh shndërrohet në “Po”.
Presidenti amerikan tha në ceremoni se “me nënshkrimin e Protokollit për Anëtarësim në Aleancë, forcohet partneriteti i Amerikës me vende që dikur dergjeshin nën prangat e komunizmit”. Qartësia amerikane është më shumë se e dukshme, ndaj duhet përshëndetur pa ngurruar asnjë çast, sepse ka miratuar atë që duan mbi 95 për qind e shqiptarëve. Në çastfirmosjen për Shqipërinë dhe Kroacinë, Xhorhx Bush tha se “ky është një moment i veçantë në historinë shpresëdhënëse të lirive të njeriut, ndërkohë që Amerika zyrtarisht deklaron mbështetjen e saj për futjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Me ceremoninë e sotme festojmë anëtarësimin e dy demokracive të reja dhe energjike të cilat po përpiqen të marrin përsipër përgjegjësi të reja në një kohë kur përballemi me terrorizëm dhe luftëra”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka qenë vërtet emocionues kur ka deklaruar se ky është moment, kur populli amerikan gëzon me popullin shqiptar dhe atë kroat një hap të madh drejt përfshirjes së vendeve të tyre në aleancën më të madhe të lirisë që ka njohur ndonjëherë bota.
Përse Edi Rama nuk ndodh, as nuk matet të përshëndesë këtë akt madhor, të kreut të Shteteve të Bashkuara? Kjo e komprometon produktin e tij politik që herë pas here ka rrëshqitje. Rama ndihet në siklet të flasë tani ashtu siç i takon, si përfaqësues politik i një numri të konsiderueshëm shqiptarësh, kur dy muaj më parë rrëmbeu mikrofonat dhe faqet e para të gazetave për të lajmëruar frikën e madhe në Uashington se Shqipëria rrezikonte seriozisht të mos përfshihej në Aleancë. Dhe këtë frikë, shqetësim, alarm, siç thoshte Rama dhe paketa e tij mediatike e shtuar nga qiramarrja e muajve të fundit, e përcillnin diplomatë amerikanë, që për herë të parë flisnin në mënyrë anonime. Kjo krisje e qëndrueshmërisë së këshilltarëve të tij të rinj që u ngutën t’i mburren Ramës se kishin bërë goxha punë, solli tjetër reaksion. Nën petkun e fjalës “mjeti justifikon qëllimin”, Rama dhe të tijtë nuk lanë pa përdorur asnjë lloj argumenti, ngjarje apo kandidat ngjarjeje, mjafton që ajo të drejtohej negativisht kundër Kryeministrit Sali Berisha. Këtë bënë socialistët me çështjen e Gërdecit, me Trebickën, me Fazlliçin, me dosje që sipas tyre kishin degëzime amerikane, për të tërhequr kujtesën e tyre, që Kryeministri nuk ishte partneri i duhur dhe lideri i opozitës duhej të ishte i përzgjedhuri i ardhshëm. Pasaktësia në matjen e liderit bëri që Rama të përdorte nxitimin në vend të ecjes, pasi rruga në partinë e tij e pashtruar mirë deri diku ia ka kushtëzuar. Opozitarët janë ndier të kapur ngushtë dhe e kanë lënë këtë përshëndetje gabimisht pa shfrytëzuar. Kryesocialisti ndihet nën presion dhe nga të vetët nëse do të dilte në kaq kohë të mjaftueshme për të përshëndetur firmën e Presidentit Bush. Ai kërkon pak kohë ndonëse nuk lë fundjavë pa shfrytëzuar për të dalë, ka frikë se mos pjesa që nuk është nën bindjen e tij në do t’ia marrë si mbështetje, kompromis ndaj Berishës dhe kështu ka humbur një shans të mirë për të thënë se vërtet në NATO hyjnë shqiptarët, qofshin demokratë e socialistë, qofshin të çdo lloj partie. Rama duhet të vetëbindet që Aleanca po pranon në tryezën e saj, jo Varshavën e dikurshme, jo celulën e Sigurimit të Shtetit, jo bashkëpunëtorët e tyre apo atë pjesë të moshës së tretë që zemra i rreh për Moskën. Konferenca për shtyp e ditës së sotme për Edi Ramën, për të falënderuar Presidentin amerikan, Xhorxh Bush, për atë çka bëri për shqiptarët e Shqipërinë, ishte ajo që do të miratonin edhe demokratët edhe socialistët, ishte shansi i humbur i kreut të PS-së. Ajo ishte firma që hidhet vetëm një herë dhe asnjë president tjetër në Shtetet e Bashkuara nuk do ta hedhë atë nënshkrim edhe një herë tjetër për hatër të Edi Ramës, se ky mbase ka qenë i zënë duke pushuar në banesën muze në Pezë larg ndotjes që ka prodhuar me firmën e tij në Tiranë. Kandidatit opozitar për të fituar zgjedhjet dhe vendin e kryeqeveritarit do t’i shkonte më për shtat sot urimi sa heshtja, pasi besojmë të gjithë që ai është ndier mirë që Bushi firmosi. Pa kthim pas, demokratët dhe socialistët, pas asaj firme në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë do të jenë në prill qytetarë të NATO-s dhe do të shkojnë në zgjedhje si të tillë, do të duhet të votojnë njëlloj si demokracitë e këtyre vendeve. Edi Rama pas kësaj firme presidenciale amerikane të 24 tetorit është edhe vetë qytetar i NATO-s ndaj duhet të falënderojë pranuesin e shqiptarëve në këtë aleancë, pasi dy milionë e tetëqind mijë votues nuk janë aspak me mendje te Varshava dhe ai nuk po përshëndet Sali Berishën, ndonëse nuk ka rrugë tjetër pa pranuar me daljen e tij para kamerave për të falënderuar firmosjen, duke faktuar dhe falënderimin për partnerin në Shqipëri të Xhorxh Bushit që është Kryeministri. Që nga e diela e sotme ka ndërruar dhe ora e kështu 60 minuta prapa nuk janë një korrigjim politik. Carpe diem do të vlente më shumë më 24 tetor.