Jo mërgimit të parave nga Shqipëria!
Vendimi pa afat i ditëve të fundit i Bankës së Shqipërisë, bankës sonë qendrore, për të ndaluar bankat tregtare, filiale të bankave të huaja që të dërgojnë para “kesh” (para në letër, valutë) tek bankat “mëma” është pa dyshim një masë e zgjuar dhe që duhet të përshëndetet. Sot kriza financiare ka të bëjë me pamundësinë e bankave që japin kredi për të zotëruar para të mjaftueshme “kesh”, letër. Pra, para që e sheh dhe e prek. Deri tani bankat amerikane në mënyrë virtuale janë shtrirë aq shumë me kreditë e tyre, sa një pjesë e kontribuuesve të tyre privatë po tërhiqen. U tërhoqën kontribuuesit e bankave që investonin e jepnin kredi në tregun e shtëpive dhe pasurive të tjera të paluajtshme, por po e ndiejnë këtë tërheqje të gjitha bankat. Kontribuuesit privatë janë aksionerët kryesorë të bankave dhe këtyre po u merren këmbët. Disa syresh kanë falimentuar (banka “Lehman Brothers” në SHBA), të tjera janë blerë nga shteti për të mos pësuar të njëjtin fat. Institucione të tjera të kreditit po deklarojnë humbje të forta. Një ndër kredidhënësit më të rëndësishëm në SHBA, banka “Vachovia”, njoftoi humbje prej 23.9 miliardë dollarë për nëntëmujorin 2008. Shifra më rekord e humbjeve të deritanishme të deklaruara nga institucionet e kreditit. Kjo krizë që në radhë të parë është krizë besimi në sistem, po bën që të gjitha bankat e mëdha që japin para borxh, madje edhe disa syresh në Evropën Perëndimore, të humbasin. Sigurisht që është një humbje e përkohshme, por po humbasin ama. Dhe nga këto humbje, bankat dalin të etura për para letër, për para të vërtetë që të rimëkëmbë besimin e konsumatorëve. Me to mund të përballojnë tërheqjet e jashtëzakonshme të depozitave. Mund të ndodhë që të kërkojnë me ngulm të marrin valutë nga filialet e tyre të shëndetshme të vendeve të Evropës Jugperëndimore (ku përfshihet edhe vendi ynë), për të shpëtuar veten. Si të thuash, t’i thajnë arkat e filialeve. Po të ndodhë kjo, atëherë është import i pastër i krizës në Shqipëri. Filialet e tyre, pas kësaj “sakrifice” për “mamanë” do të ngeleshin pa para letër dhe do të kërkonin borxh urgjent nga banka jonë qendrore, e cila do të ishte e detyruar të prodhonte në kohë rekord sasi të mëdha parash letër. E këto sasi do të rrisnin inflacionin në Shqipëri, si më i pakti dëm. Dëme të tjera do të kishin të bënin me vonesa në pagesat e transaksionet bankare që kërkojnë para letër. Në mungesa të gjata parash në bankomatet që paguajnë rrogat e buxhetorëve. Këto vështirësi, të lidhura me lajmet shqetësuese të falimentimeve të bankave në SHBA apo të gjendjeve të vështira të disa prej tyre në Evropën Perëndimore, do të mjaftonin për të shtyrë shumë depozitues shqiptarë të kërkonin t’i tërhiqnin depozitat e tyre në lekë, euro apo dollarë. Kjo do të shënonte fillimin e krizës së vërtetë në Shqipëri, tërësisht të shkaktuar nga dëshira e bankave “mëma” për t’u furnizuar me çdo mënyrë me para likuide, letër. Banka e Shqipërisë synon ta parandalojë këtë situatë. Por a është në gjendje ajo? A i ka mekanizmat e duhur dhe ekspertët që i nevojiten për të kontrolluar imtësisht kanalet e kalimit të parasë nga filialet bija të bankave të huaja në Shqipëri tek bankat mëma? Nuk do të ishte keq që të fillonte të bënte disa kontrolle, qoftë edhe për formë, që të stepte disi filialet nga dërgimi fshehtas i parave likuiditete. Nuk duhet harruar se 85 për qind e sasisë së gjithë parasë që qarkullohet nga bankat i përket aktivitetit të këtyre filialeve. Pjesa tjetër përbëhet nga banka me kapital shqiptar. Do të ishte mirëfilli e mjerueshme nëse dhjetëra milionë euro dërgohen në bankat mëma në Greqi, Austri apo Itali për të lehtësuar gjendjen e tyre, pa pyetur se si do t’u vejë filli filialeve. Por filialet do të detyroheshin t’i bindeshin urdhrit nga pronarët. Vendimi i Bankës së Shqipërisë mund t’i ndihmojë ato vetë që të garantojnë sasinë e parave letër që u duhet për një mbarëvajtje normale aktiviteti këtu. Si të thuash, mund të aftësohen t’u thonë pronarëve: “Ne duam të dërgojmë kesh, por nuk na lejon banka qendrore këtu në Shqipëri!” Veçse këtë “lobing” do të mund ta realizonin nëse Banka e Shqipërisë do t’u qëndronte xhandar mbi kokë. Ajo mund të kërkojë edhe ndihmën e mediave për t’i bërë filialet e bankave të huaja përgjegjëse e që të mendohen dy herë përpara se sa t’u dërgojnë para letër zyrave qendrore. Një dëmtim në imazh do të ishte vështirësisht i gëlltitshëm për filialet dhe ato do të kërkonin ndalimin e kërkesave nga pronarët për para kesh. Ja përse ia vlen të përkrahet dhe nxitet banka jonë qendrore që të jetë shumë kontrolluese ndaj filialeve të bankave të huaja tek ne.