OPINION/ Dy gënjeshtra në një të madhe
Para disa ditësh u prezantuan rezultatet e një sondazhi të ‘Freedom House’, nëpër të cilat del, se Shqipëria gjatë këtij viti na qenka ngjitur disa pikë më lart se shtete të tjera, për sa i përket respektimit të institucioneve të pavarura në vend.
Kjo ishte gënjeshtra e parë që dëgjuam së fundmi, artikuluar nga një organizatë ndërkombëtare jo qeveritare (NGO), integriteti dhe serioziteti i së cilës vihet në pikëpyetje, së paku për ne shqiptarët dhe gjithashtu së paku, për këtë rast të veçantë.
Pikërisht ngaqë ishte i tillë, pra krejt i veçantë, ky rast u tentua të shfrytëzohej menjëherë nga Qeveria shqiptare, nëpërmjet zëdhënëses llomotitëse (që shpesh herë mbase as ajo vetë nuk e kupton çfarë nxjerr nga goja), e cila duke iu referuar përfundimeve të asaj ankete dyshimisht të zhvilluar në të vërtet apo jo, me të vërtet në bazë të kritereve përkatëse apo jo, përpara publikut vendas nxitoi të shqiptonte në mënyrë shumë prekëse, se nuk na paska asgjë më të shtrenjtë për Qeverinë tonë se sa respektimi i pavarësisë së institucioneve (?!).
Pavarësisht nga mënyrat e shprehura të këtyre rezultateve, pavarësisht nga motivet e nxjerrjes së tyre dhe pavarësisht motiveve të njëjta apo të ndryshme të publikimit të tyre, realisht ato përbëjnë dy gënjeshtra në një të vetme, të madhe, që nuk hahet, nuk besohet as nga qytetarët më naivë që çapiten me pengesa në këtë territor, administrimi i të cilit qysh prej tre vitesh dominohet nga tregues negativë të qeverisjes aktuale. Nga tregues, që tashmë është bërë e qartë, se janë edhe rrjedhojë e përqendrimit të drejtimit të vendit në një dorë të vetme, duke shmangur e mënjanuar pothuajse plotësisht ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucioneve, vektori i të cilave drejtohet jashtë sferës së pushtetit ekzekutiv.
Për këtë realitet shqetësues e kanë ngritur dhe vazhdojnë ta ngrenë çdo ditë e më shumë zërin përfaqësuesit e shteteve më të përparuara të botës dhe ata të organizmave më të fuqishëm ndërkombëtarë ndërqeveritarë, të cilët duke mos qenë aspak e nevojshme që të shqyrtojnë dhe të marrin sado pak në konsideratë anketime të tilla si ky i ‘Freedom House’, në unison paralajmërojnë që, nëse kjo Qeveri nuk heq dorë nga qëndrimet dhe veprimet për të kontrolluar të gjitha pushtetet, atëherë Shqipëria rrezikon seriozisht pranimin, përfshirjen, integrimin në gjirin e tyre. Veçanërisht vitin e fundit, kur pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës nga grupi i deputetëve të Partisë Demokratike, kur edhe pas emërimit të Prokurorit të ri të Përgjithshëm me propozimin dhe këmbënguljen e vet kreut të kësaj partie, ky i fundit është përsëri ai që turbullon ujërat dhe shfryn ndaj çdo përpjekjeje ligjore për ta vënë drejtësinë në vendin e vet.
Në të gjithë këtë atmosferë politike e sociale të rënduar, më e keqja ndodh jo aq nga deklaratat e Berishës dhe kastës së tij, se sa nga veprimet konkrete të tyre në fushën legjislative. Nuk mund të mos merren parasysh këtu dy projektligjet e fundit. Njëri që ka të bëjë me ndryshimet e shumë kontestueshme në Ligjin për organizimin e funksionimin e Prokurorisë. Tjetri për administratën gjyqësore, duke u dhënë sekretareve gjyqësore rol monitoruesi e kallëzuesi ndaj veprimtarisë normale të gjyqtarëve, duke e vendosur kancelarin në pozicionin e koordinuesit e drejtuesit faktik të gjykatës, në shmangie dhe injorim të plotë të postit të kryetarit të saj, me pak fjalë, duke e bërë më të rëndë bishtin se sa sqeparin. Me anë të këtyre dy akteve, saktësisht nëpërmjet disa neneve të veçanta të tyre, bëhet i qartë synimi për ta vënë edhe sistemin gjyqësor nën diktatin e pushtetit ekzekutiv.
Ndërkohë që analiza e dispozitave kushtetuese të çon në konkluzionin se këto sigurojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera, se në fund të fundit apo në krye të herës, “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor” (neni 7), se “gjykatat janë të pavarura dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve” (neni 145). Dhe definimi i kësaj çështjeje, të paktën në parim, nuk i përket vetëm këtyre ditëve. Që në fillim të viteve ‘90, me shpalljen e pluralizmit, ajo u shtrua në një rrafsh të gjerë dhe mbi baza reale. Vetë pranimi i ndarjes së pushteteve, si një nga strumbullarët e organizimit dhe funksionimit të shtetit demokratik, afërmendsh do të thoshte heqje dorë nga nocioni i epërsisë së një pushteti ndaj të tjerëve. Kështu, krahas zhdukjes së monopolit politik të një partie dhe mbikëqyrjes së rreptë të saj edhe mbi gjykatat, vetvetiu u hap rruga për pavarësi efektive të pushtetit gjyqësor.
Mirëpo, me sa kuptohet fare mirë, nuk mund të pajtohej me këtë frymë një revanshist politik si Sali Berisha, as atëherë kur kryente funksionet e Presidentit të Republikës, as tani kur është Kryetar i Qeverisë. Dhe kjo bindje përforcohet tani edhe më tepër, kur merr vesh se, gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave në fillim të këtij muaji, ku u miratua e ashtuquajtura “Strategji Anti– Korrupsion 2008–2013”, Qeveria i vuri si objektiv vetes edhe përgatitjen e një baze ligjore që të mundësohet e drejta e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj vlerësimit të dekreteve të kreut të shtetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas këtij dokumenti, citojmë: “Një nga problemet më shqetësuese në sistemin e drejtësisë lidhet me mungesën e transparencës dhe procedurat jo objektive të emërimit të gjyqtarëve e prokurorëve”.
Shtjellimi krahasues i raportit ndërmjet pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor në vende të ndryshme bëhet e qartë, se kudo vepron parimi i mosndërhyrjes në këtë të fundit. I vetmi kufizim i këtij parimi spikat te ushtrimi nga pushteti legjislativ i dy atributeve tradicionale të tij: paprekshmëria e deputetit dhe amnistia. Ndërsa, ashtu si në mjaft vende demokratike europiane, edhe te ne Presidenti i Republikës nuk bën pjesë në asnjë nga tre pushtetet, por luan rolin e moderatorit në punën e tyre. Pikërisht, këtë profil ruan ai edhe kur kontribuon në mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, qoftë si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, qoftë me emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që janë kompetencë ekskluzive e tij. Kështu, duke iu referuar pikës 1 të nenit 139 të Kushtetutës sonë: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit” dhe po kështu, pika 4 e këtij neni sanksionon që: “Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Ndërkaq, duke iu referuar nenit 149 të Ligjit Themelor, vihet re se gjithashtu, kjo frymë përshkon në simetri edhe emërimet në sistemin e Prokurorisë. Pa u zgjatur me tentativat e njohura së fundi të maxhorancës parlamentare, për të mos mbështetur me vota dekretet individuale të kreut të shtetit mbi emërimet e disa anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, mund të thuhet në mënyrë të theksuar habitore që tani na dilkërka në rend të ditës edhe kufizimi i kompetencave të kryetarit të shtetit dhe uzurpimi i disave prej tyre nga pushteti ekzekutiv, çka do të kërkonte medoemos edhe amendime të tjera të Kushtetutës (?!). A është normale kjo?
E vërteta është që në disa shtete europiano–perëndimore po përhapet mënyra e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Qeveria. Kjo mënyrë mbart, sigurisht, rrezikun që Qeveria t’i caktojë ata mbi bazën e bindjeve të tyre politike. Mirëpo përkrahësit e saj pohojnë, se kundër këtij rreziku ka garanci, ngaqë Qeveria sidoqoftë është organ kolegjial dhe tek e fundit, aktin e emërimit e nënshkruan kryetari i shtetit, që mund të mos i përkasë të njëjtit orientim politik. Për më tepër, propozimet bëhen, si rregull, me lista të hartuara mbi bazën e konkurrimeve që kanë në përbërje të jurive gjyqtarë të shquar, profesorë të njohur dhe juristë të tjerë të pavarur. Veç këtyre argumenteve, ata shtojnë se kjo mënyrë emërimi merret në konsideratë për rrjedhojë të faktit të pranuar aktualisht, që pavarësia e ndërsjellë duhet kombinuar me bashkëpunimin real dhe efektiv ndërmjet pushteteve.
Gjithsesi, sistemi i mësipërm mund të jetë i pranueshëm dhe rezultativ në shtete me të vërtet liberale. Ama në vende, veçanërisht si Shqipëria, që jo vetëm nuk kanë tradita demokratike, por përjetojnë edhe aktualisht sundim të qeverisjeve me prirje totalitariste, të vendosura në pushtet ose të rikthyera në të me votat e lira të zgjedhësve apo me rrjedhje aksidentale të këtyre votave, një mënyrë e tillë emërimi do të konsiderohej e parakohshme. Pra, ende e pakëshillueshme. Sikurse nuk janë gjithashtu të këshillueshme ndryshimet e njëpasnjëshme në Kushtetutën tonë, miratimi i të cilës i është nënshtruar një referendumi të gjerë popullor vetëm afro 10 vjet më parë. Ai që mendon, madje vepron në mënyrë të përsëritur dhe në kundërshtim flagrant me të, është Kryetari i Këshillit të Ministrave, i cili me sa duket e konsideron këtë dokument bazik të shtetit si shemrën e një pjelle të tij, të asaj që edhe pse nuk u lodh të merrte rrugën e Kuvendit, sovrani popull me shumicë të madhe votash e flaku tej. Por me babëzinë politike e pushtetore të tij, Sali Berisha vazhdon si më parë të shpallë hapur synimin e vet të palëkundur për të përvetësuar edhe maksimën e Luigjit XIV: “Shteti jam unë!”.
Sa pikë paskemi zbritur! Sa mbrapa qenkemi kthyer!
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)