E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi i shqetësuar me kërkesat e Merkelit për Kosovën

Beogradi është i shqetësuar për kërkesat për veriun e Kosovës, që mund t`i paraqesë kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së ardhshme në Serbi.

DPA transmeton mediat serbe, të cilat shkruajnë se "Merkel po vjen me kërkesën, se situata në veri të Kosovës duhet të normalizohet".

E përditshmja më e madhe beogradase "Blic" shkruan se "në mesin e zyrtarëve serbë ekziston frika se normalizimi do të thotë vënia e doganave dhe gjykatave nën kontrollin e Prishtinës".

"Nëse Serbia e kundërshton këtë pozicion, atëherë Merkel do ta paralajmërojë Beogradin se mund të përballet me bllokim të hapave të mëtejshëm për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian", shkruan Blic.

Ditë më parë, kreu i opozitës serbe, Tomisllav Nikollic, tha se Serbia duhet të zgjedhë midis çështjes së veriut të Kosovës dhe afrimit të mëtejshëm me BE-në. Ai propozoi referendum - ide që u hodh poshtë nga partitë qeveritare.

Merkel do të vizitojë Kroacinë të hënën e ardhshme, për të vazhduar më pas në Beograd.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›