Hoxhaj, pjesë në takimin e ministrave të OKI-it
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, sot ka udhëtuar për në Stamboll, ku do të marrë pjesë në Takimin Ministerial të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Kooperim Islamik (OKI).
Ministri Hoxhaj, në këtë konferencë është ftuar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu. Në konferencë pritet të marrin pjesë 57 ministra të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të OKI-së. Me këtë rast, Hoxhaj do të zhvilloj takime të shumta me ministra të jashtëm të vendeve islamike, me qëllim të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës.
Organizata për Kooperim Islamik (ish-Organizata e Konferencës Islamike), në sesionin e 38 të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit në muajin qershor, ka miratuar një Rezolutë në të cilën i bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të Organizatës që të njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.