E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Poliçan fallxhores nga Elbasani

Ka përfunduar në pranga të Policisë së Beratit një fallxhore nga qyteti i Elbasanit, e cila ka vjedhur me anë të mashtrimit një punëtor të uzinës në Poliçan. Burime zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se rreth orës 03.30 të mëngjesit të djeshëm ka rënë në pranga të policisë Dylbere Sinani, 43 vjeçe, banuese në lagjen "Emin Matraxhiu" në qytetin e Elbasanit. Gruaja e dënuar më parë për mashtrim, mësohet se ka qenë në hetim të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Berat që prej dy muajsh. Ajo dyshohet se më 2 shtator të këtij viti ka vjedhur me anë të mashtrimit një punëtor të uzinës së Poliçanit. Ajo është paraqitur si një fallxhore në qytetin e Poliçanit duke u premtuar banorëve se do t‘u lexonte të ardhmen. Më 2 shtator është paraqitur në ambientet e jashtme të uzinës ku i ka premtuar banorit B.Q., punëtorit se do t‘i lexonte të ardhmen nëse i jepte për momentin një shumë lekësh. Banori mësohet se ka shkuar në banesën e tij, ku dhe ka marrë sasinë prej 400 eurosh e 90 mijë lekësh, të cilat ia ka dhënë gruas që është larguar duke humbur çdo gjurmë.

M.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›