Beogradi në ofensivë diplomatike për negociata me Kosovën
Gazeta “Blic” citon burime pranë qeverisë, sipas të cilëve janë qartësuar të gjitha hapat që do të ndiqen pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Sipas tyre, do të mblidhet menjëherë në një seancë Këshilli i Sigurimit të OKB-së, ku do të kërkohet përshpejtimi i fillimit të negociatave mes Beogradit dhe Prishtinës. Burime të afërta pranë qeverisë serbe për gazetën “Blic”, thonë se kjo është rruga e vetme për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
Edhe ekspertët serbë të politikës së jashtme thonë se pa një zgjidhje për Kosovën nuk mund të realizohet normalisht plani i Serbisë. Gazeta “Blic” konstaton se në rajon vetëm Rumania dhe Bosnje Hercegovina nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa nga të tjerët vetëm Mali i Zi nuk e ka shkëmbyer ambasadorin me Prishtinën.