Maqedoni, “nuse, nuse” e bën Janevskin ambasador!
Por si zakonisht, nga kjo ministri nuk është emëruar asnjë artist shqiptarë. Sipas njerëzve të artit, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, ky veprim i ministrisë së drejtuar nga Elizabeta Kamçevskan është edhe një diskriminim direkt i popullit shqiptar në Maqedoni.
“Është turp që në shekullin XXI ende ka diskriminime në kulturë. Pa marrë parasysh se cila parti shqiptare është në qeveri, ne sërish jemi zero. Ministria e kulturës me këtë përzgjedhje të ambasadorëve dëshmon këtë diskriminim që po i bëhet popullit tonë”, tha fillimisht Imer Bajrami, kryetar i shoqatës “Art Vizion”.
Problemi sipas Bajramit është thjesht vetëm diskriminimi i qëllimshëm, pasi ka mjaft artistë shqiptarë të cilët e meritojnë ta bartin këtë epitet.
“Edhe ne kemi mjaft artist të shquar shqiptarë që janë të njohur në vend dhe jashtë, por megjithatë ata nuk janë vlerësuar nga ministria e kulturës si të aftë për titullin e ambasadorit”, theksoi Bajrami.
Ai gjithashtu ka pohuar se deri më tani asnjë galeri në Maqedoni nuk ka drejtor shqiptar.
“Jo vetëm që nuk ka të punësuar në drejtori apo administratë, por gjithashtu shqiptarët nuk janë pjesë as edhe e personelit të kujdesit higjienik, që dëshmon që në çfarë shkalle ka arritur ky diskriminim”, përfundoi Bajrami.
Ministria e Kulturës, për befasi të shqiptarëve ka vendosur të shpërblejë këngëtarin Vllado Janevski, i cili publikisht i nënçmoi shqiptarët në natën e Vitit të Ri.
“Mjaft ishte kënga nuse, nuse për shqiptarët. Kjo u takon sipas Marrëveshjes së Ohrit”, ishin fjalët e Janevskit në atë mbrëmje, ndërsa si shpërblim të patriotizmit dhe nacionalizmit të shfaqur maqedonas shpërblehet me titullin e ambasadorit të kulturës në Kroaci.
“Veprimi i fundit i ministrisë së kulturës dëshmon edhe njëherë albanofobinë dhe asgjësimin e trashëgimisë kulturore pasi që asnjë shqiptar nuk është përzgjedhur si ambasador i kulturës. Kurse Vllado Janevski , këngëtari maqedonas që shprehu lirshëm urrejtjen ndaj shqiptarëve, shpërblehet me titullin ambasador i kulturës në Kroaci”, deklaroi Artan Grubi, kryetar i lëvizjes qytetarë “Zgjohu!”.
Ashpër ka reaguar edhe shoqata e historianëve shqiptarë në Maqedoni. “Kjo është përbuzje ndaj popullit shqiptar nga persona të cilët jetojnë në Maqedoninë e shekullit XXI, por mendjen e kanë në kohën e gurit. Këto tendenca janë për tu gjykuar, sepse japin porosi se kjo shoqëri është e sëmurë dhe urgjentisht duhet të shërohet. Këngëtari Janevski në vend se të ndëshkohet, ai shpërblehet”, tha nënkryetari i kësaj shoqate, Skënder Hasani.
Sipas tij, kjo sëmundje dhe urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve vjen për shkak të inatit që kanë maqedonasit pasi shqiptarët kanë kulturë mijëravjeçare të njohur nga e gjithë bota.
Përveç Janevskit, në mesin e nëntë ambasadorëve të kulturës ka edhe artistë të tillë që nuk janë të kalibrit botëror që zakonisht nevojitet për të bartë këtë titull.
Ambasadorët e përzgjedhur të kulturës
Ivo Trajkov, regjisor – ambasador i kulturës në Çeki- Pragë
Milço Mançevski, regjisor – ambasador i kulturës në SHBA- Nju Jork
Goran Stefanovski, dramaturg – ambasador i kulturës në Angli – Londër
Zafir Haxhimanov, kantautor dhe shansioner- ambasador i kulturës në Serbi – Beograd
Elena Misirkova, pianiste – ambasadore i kulturës në Austri – Vjenë
Ivan Popovski , regjisor – ambasador i kulturës në Rusi – Moskë
Snezhana Popovska, pedagoge e pianos – ambasadore e kulturës në Malajzi – Kuala Lumpur
Bllagoj Hacoski, tenor – ambasador i kulturës në Itali – Romë
Vllado Janevski, këngëtar –ambasador i kulturës në Kroaci – Zagreb
/lajm/