Beogradi skenare tensionesh edhe në Luginën e Preshevës

Autoritetet politike shqiptare në këtë rajon theksojnë se po ndjehet situata e tensionuar sidomos në komunën e Bujanocit, pas disa aktiviteteve politike të serbëve lokal.
Në Luginën e Preshevës ditëve të fundit janë shtuar tensionet pas ngjarjeve të fundit në veriun e Kosovës. Autoritetet politike shqiptare në këtë rajon theksojnë se po ndjehet situata e tensionuar sidomos në komunën e Bujanocit, pas disa aktiviteteve politike të serbëve lokal.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi nëpër mjet një komunikate ka theksuar se qeverisja komunale në këtë komunë po ndjek me vëmendje të veçantë gjendjen e krijuar në Kosovë.
“Sundimi i rendit dhe ligjit mbetet parakusht i domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit dhe për shmangien e zhvillimeve negative zinxhirrore në rajon. Zhvillimet e fundit në Kosovë dhe themelimi i të ashtuquajturit Këshill Kombëtar Serb në Bujanoc, prezenca e vazhdueshme e forcave speciale te policisë serbe-xhandarmerisë, duke krijuar imazhin e gjendjes së pashpallur të jashtëzakonshme në Luginë të Preshevës, janë në shpërputhje të plotë me politikat stabilizuese të dhjetëvjeçarit të fundit në rajon”, ka deklaruar Kamberi, duke shprehur shqetësimin e disa serbëve lokal që muaj më parë kanë shpalosur kërkesat e tyre për shkëputjen e një pjese të qytetit dhe formimin e komunës së re të pavarur me serb në Bujanoc.
Përfaqësuesit e partive politike kanë theksuar nevojën e zgjidhjes së problemit të të drejtave kolektive të shqiptarëve në mbështetje të parimit të reciprocitetit edhe në Luginën e Preshevës.
“Ftojmë të gjithë aktorët e brendshëm dhe të jashtëm të kontribuojnë edhe më shumë për zgjidhjen e problemeve të shumta vendore, në përputhje me orientimet e politikave euro-integruese për krijimin e stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë rajonal, ka thënë kryetari i Komunës së Bujanocit.
Nga ana tjetër, edhe në komunën e Preshevës po mbretëron një situatë e tillë, ku kërkohet zgjidhje dhe përkushtim më efektiv ndaj çështjes shqiptare në këto tre komuna të banuara me popullsi shqiptare.
Në Luginën e Preshevës deri tani nuk ka pasur zëra për nxitjen e protestave apo shpalosjen e kërkesave të njohura të shqiptarëve të kësaj ane. (INA)