E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rritja e investimeve, premtim i mbajtur

Nga Express më 03 gusht 2011 në ora 21:42

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se rritja e investimeve të huaja në Shqipëri tregon modelin e suksesit ekonomik të ndërmarrë nga qeveria.

Investimet e huaja në Shqipëri ishin sot kryefjalë e mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se gjatë 5 viteve të qeverisjes së tij, në Shqipëri janë investuar mbi 4 mld dollarë, ndërsa është i vetmi vend në rajon që ka ende rritje të këtyre investimeve.

“Në 5 vite të marra së bashku, nga 2006 deri në 2010, investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin mbi 4 mld dollarë. Vetëm në vitin 2010 më shumë se 1 mld dollarë u investuan. Një nga premtimet tona themelore ishte shndërrimi i Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaj dhe më gjerë, kjo sot është realitet. Shqipëria e vitit 2010 është i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja”, u shreh Berisha.

Sipas Berishës, Shqipëria ka pësuar rritje të investimeve të huaja, pasi ndoqi një model të suksesshëm ekonomik.

“Kujtojmë se deri në vitet 90’ në Shqipëri ndaloheshin me kushtetutë investimet e huaja. Edhe po ti krahasojmë me ato të 2004 themi që Shqipëria ka fluturuar, por s’dua ti krahasoj me ato vite që s’meritojnë krahasim, dua ti krahasoj me vitet e qeverisjes sonë. Në vitin 2010 Shqipëria 3 herë më shumë investime të huaja . Çdo dy vjet ato u dyfishuan. Shqipëria është i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja, pasi ndoqi një model të suksesshëm ekonomik, i bazuar mbi barrën fiskale më të ulët në Evropë, me ngarkesën publike mbi sektorin privat më të ulët në Evropë, që bazohet mbi investime të mëdha, në zhdukjen e pengesave burokratike", tha Berisha më tej.

Kreu i qeverisë deklaroi më tej, se as protestat dhe greva e opozitës nuk e lëkundën besimin e investitorëve të huaj.

“Protestat në Tiranë kanë pasur ndikim negativ për investimet e huaja, por ajo që është themelore është se ato nuk kanë arritur të lëkundin besimin e investitorëve të huaj tek Shqipëria. 4 mld dollarë në një hark kohor të shkurtër. Shqipërisë i besojnë, ky është edhe mesazhi më i fuqishëm”, tha ai.

Duke iu referuar raportit të PNUD-it i cili e radhiti Shqipërinë si vendin e dytë në Europën Juglinore me investimet e huaja më të larta, Berisha theksoi se gjatë 6 vjetëve të fundit investimet e huaja kapin shifrën prej 4 miliard dollarësh.

Sipas tij me rritjen e investimeve të huaja është arritur të përmbushet edhe një nga premtimet më themelore të qeverisë, atë të shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheq për investimet e huaja në rajon dhe më gjerë ndërsa shtoi se Shqipëria në vitin 2010 ishte i vetmi vend në rajon me rritje të investimeve të huaja.

“Në rast se në vendet e tjera investimet e huaja për shkaqe të njohura kanë pësuar rënie, kjo nuk ka ndodhur tek ne. Në Shqipëri investimet edhe në vitin 2010 janë rritur. Pra u realizua njëri prej objektivave më madhorë të kësaj qeverisjeje, krijimi në Shqipëri i mjedisit më miqësor të mundshëm për investimet dhe biznesin. Investimet e huaja, çdo dy vjet janë dyfishuar çka koiçidon në mënyrë shumë impresionuese me trefishimin e eksporteve të vendit. Këto investime janë kryesisht në industrializimin e vendit, proces që po ndodh bazuar mbi teknologjitë më moderne”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›